Ballina Aktualitet Skandali me 104 tonë misër serb me aflatoksinë në Shkodër, Sula: Kam...

Skandali me 104 tonë misër serb me aflatoksinë në Shkodër, Sula: Kam shkarkuar 10 inspektorë

Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula, zhvilloi sot një takim me kryeinspektorë të Qarkut të Korçës.Gjatë një prononcimi për mediat, Sula u ndal te problematikat kryesore që lidhen me sigurinë ushqimore, funksionimin e inspektoriateve dhe masat ndaj shkeljeve në treg.

“Nëse do kishit mundësinë që këtë informacion që keni ju, do duhet ta adresoni në platformë, ne reagojmë menjëherë. Ditën e nesërme, ne si inspektoriat i përgjithshëm, në disa subjekte të padeklaruara dhe të painformuara nga inspektoriatet e zonës këtu, do shkojmë bashkë me ta për inspektim. Ne kemi përzgjedhur edhe supermarkete, edhe linja prodhimi, për të qenë një inspektim i befasishëm, urgjent, i rrufeshëm për të parë nëse ka shkelje apo jo”, tha Sula.

Sa i përket funksionimit të inspektoriateve, Sula mohoi që ato të jenë jashtë funksionit, por pranoi ekzistencën e problematikave. Ai solli në vëmendje rastin e fundit në Shkodër, ku janë marrë 15 masa disiplinore ndaj inspektorëve, përfshirë 10 shkarkime nga detyra, pas lejimit të hyrjes së 104 tonë misër me aflatoksinë B1 nga Serbia.

“Jo, nuk janë jashtë funksionit. Ka problematika pa diskutim. Unë kam ditën e 69-të në krye të inspektoriatit dhe ju bëj me dije se ndoshta një vendim para dy ditësh, kur ka marrë inspektoriati i përgjithshëm për rastin e Shkodrës, 15 masa disiplinore ku 10 prej tyre janë shkarkim nga detyra i inspektorëve, për shkak të hyrjes së misrit me afotoksinë B1 i cili është i dëmshëm edhe për kafshët. Unë i kam vendosur dhe për çdo rast sinjalizimi ne do ti ndëshkojmë. Çdo masë administrative që ankimohet nga subjekti, ka dy rrugë ose rri në fuqi masa e vendosur nga inspektimi ose  kjo masë shfuqizohet por me një kusht, në rast padrejtësie që fillon masë administrative për inspektorin”, theksoi Sula.

Në lidhje me punësimin e paligjshëm, Sula theksoi se Inspektoriati i Punës do të intensifikojë kontrollet, duke nënvizuar se edhe një punonjës i pasiguruar përbën shkelje ligjore. Ai paralajmëroi një reformë të rëndësishme përmes digjitalizimit të sistemit të inspektimeve.

“Inspektoriati i punës është fusha që mbulon këtë fushë që ju keni shqetësim dhe me të drejtë. Nuk pretendoj që nuk ekzistojnë. Edhe sikur një biznes të ketë 5 punëtorë dhe një prej tyre të jetë i pasiguruar, është në shkelje të ligjit dhe nuk garanton sigurinë e punonjësit, i cili mund të ketë një incident të ndodhur gjatë punës, nuk përfiton nga e drejta që ka. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulin për të bërë inspektime çdo ditë. Mund të them që do vuajmë 6-7-8 muaj maksimumi pasi jemi duke përgatitur edhe sistemin e digjitalizimin, për gjitha fushat e inspektimit, që do të thotë do ta përzgjedhë sistemi subjektin në bazë të indikatorëve të riskut. Ju garantoj që inspektimi do pasurohet me të dhëna të reja, do bëhet e mundur që dhe inspektori të jetë i monitoruar me anë të një gps-i që mat lëvizjet ku ai shkon”, shtoi ai.

Sa i përket sigurisë ushqimore, Sula vlerësoi bashkëpunimin me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, duke theksuar se vetëm javën e kaluar në Shkodër u bllokuan 110 kuintalë produkte të pasigurta.

“Shumë e drejtë, besoj që e keni ndjekur këto 2 muaj që Znj Gjylameti është në krye të AKU-së, dhe unë si kryeinspektor i përgjithshëm, kemi filluar një valë inspektimesh që po jep rezultat. Javën e kaluar në Shkodër u bë e mundur bllokimi i 110 kuintalëve. Unë përsëri apeloj, ka të bëjë shumë kultura qytetare, pra ndjekja, vigjilenca e tyre, që duhet të sinjalizojnë inspektoriatin. Është shumë e rëndësishme gjurmueshmërja dhe për këtë arsye po përgatiten sisteme që do të ndjekin gjurmueshmërinë e produkteve, sepse nga 5 produkte në Shqipëri, 3 ose 4 janë nga importi, hyrja në pikën doganore të Kapshticës, Qafë Thanës dhe pika të tjera doganore në vend. Me anë të gjurmueshmërisë, do të dihet si ka hyrë, çfarë certifikatë sigurie ka dhe afati kohor”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks