Një skandal i rëndë është denoncuar sot në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku pacientëve nuk u janë realizuar ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe dështimit total të sistemit rezervë. Paradoksale se si spitali më i madh në veri të vendit prej dy ditësh nuk i kryen këto sherbime, pasi gjeneratori rezulton i prishur dhe mjekët i druhen ikjes së energjisë, pasi janë operacione që zgjasin. Në redaksinë e neëspoëer.al kanë ardhur disa denoncime, ku pacientët tregojnë se të afërmit e tyre janë futur në sallë e pasi janë mbajtur me orë, janë nxjerrë serish pasi operacioni nuk është kryer. Përballë këtij kaosi dhe rrezikut serioz për jetën e pacientëve, mjekët kanë refuzuar të kryejnë operacionet, duke shmangur kështu pasoja potencialisht tragjike.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi gjendjen reale të sistemit shëndetësor dhe neglizhencën institucionale në menaxhimin e spitaleve publike. Si është e mundur që një spital rajonal, që duhet të garantojë shërbim jetik 24 orë në ditë, të mbetet pa asnjë zgjidhje alternative? Ky rast konsiderohet një tjetër tregues i degradimit të shërbimit shëndetësor publik, ku mungesa e investimeve bazike dhe papërgjegjshmëria administrative po kthehen në kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e pacientëve.






