Me një ceremoni solemne liturgjike, Kisha e Fushës së Druve u shugurua dhe iu kushtua Lumit Gjon Gazulli, duke shënuar një ngjarje të rëndësishme për komunitetin katolik dhe Arqidioqezën Shkodër-Pult.
Mesha e shugurimit u kremtua nga Arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine. Gjatë ritit u bë shugurimi i elterit, bekimi i punimeve restauruese të kishës, si edhe vendosja dhe bekimi i relikeve të Lumit Gjon Gazulli, duke e lidhur përfundimisht këtë vend të shenjtë me figurën e martirit shqiptar.
Në homelinë e tij, Imzot Giovanni Peragine u ndal te jeta, dëshmia dhe martirizimi i Lumit Gjon Gazulli, duke theksuar se besnikëria e tij ndaj Krishtit dhe sakrifica deri në flijim mbeten një model frymëzimi për besimtarët, si edhe një thirrje për të jetuar me besim, shpresë dhe përkushtim ndaj vlerave të Ungjillit.
Ceremonia mblodhi dhjetëra besimtarë, meshtarë, rregulltarë dhe banorë të zonës, të cilët morën pjesë në këtë kremtim të veçantë. Kushtimi i Kishës së Fushës së Druve në nder të Lumit Gjon Gazulli i jep asaj një identitet të ri shpirtëror e historik, duke përjetësuar kujtimin e një prej figurave më të shquara të martirizimit të Kishës Katolike në Shqipëri dhe duke shënuar një kapitull të ri në jetën fetare të komunitetit.






