30 ditë nuk kanë mjaftuar që të gjithë fermerët e interesuar për mbështetje nga skema Kombëtare për bujqësinë të aplikojnë. Qeveria njoftoi zgjatjen edhe me 10 ditë të tjera të afatit të aplikimit për të përfituar nga mbështetja e këtij viti vjen me një fond prej 5.2 miliardë lekësh.
“Ka pasur një rritje të ndjeshme të aplikimeve që fermerët mbase s’kanë pasur kohën e duhur të aplikojnë dhe kemi menduar ta kalojmë deri më 6 korrik. Kemi rreth 40 mijë fermerë që kanë aplikuar. Në 12 masat janë të interesuar, në mbrojtjen biologjike, bletari, blegtori ka një numër të lartë”, tha Salla.
Gjatë një konference për shtyp me homologun nga Kosova, Armend Muja, ministri i Bujqësisë Andis Salla u pyet për shifrat e INSTAT që tregonin një rënie të prodhimit bujqësor vitin e kaluar, kryesisht tek drithërat, drufrutorët dhe ulllinjtë. Ministri Salla thotë se 6-mujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje për eksportet, ndërsa është rritur ndjeshëm edhe cilësia.
“Vetëm vitin e kaluar, kemi eksportuar 330 mijë ton produkte shifër goxha e lartë, në 6-mujorin e parë kemi tejkaluar krahasuar me 6-mujorin e vitit të kaluar. Nuk kemi asnjë kamion të kthyer. Fermerët po punojnë shumë mirë, po orientohen mirë nga Ministria e Bujqësisë për përdorimin e pesticideve, çfarë duhet të përdorin e çfarë jo. Po prodhojmë me standard dhe cilësi, dhe këtë e tregojnë eksportet”, tha Salla.
Për zhbllokimin e fondeve të IPARD, ministri u shpreh optimist, teksa njoftoi se një delegacion nga Brukseli vjen shumë shpejt në Tiranë.
“Do të presim një delegacion për IPARD-in, për t’u takuar në fund të muajit ose fillim korriku, për të dakordësuar gjithë procedurat që na janë kërkuar. Jemi në proces e sipër dhe na duhen shumë pak ditë për t’u shprehur se si do të qasemi për IPARD-in. Jemi në një proces shumë pozitiv dhe duke u dakordësuar me Komisionin Europian në mënyrë që t’i vëmë në dispozicion fermerëve një shumë prej 148 mln eurosh”, shpjegoi Salla.
Gjatë vizitës zyrtare, ministrat Salla e Muja firmosën dy marrëveshje, për marketingun dhe promovimin e produkteve agro-ushqimore si dhe transferimi i teknologjive, inovacionit dhe shërbimet këshillimore për fermerët.






