Shfaqja “Offline për një Ditë”, premierë për fëmijë e teatrit “Migjeni” dhe e interpretuar me talent e përkushtim nga fëmijët e Qendrës Kulturore “Kujtim Alija” Shkodër, u vlerësua me sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret”, duke fituar 3 çmime nga një juri e përbërë nga emra të njohur të skenës shqiptare, si Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku.
Me tekst nga Gjovalin Kolaj dhe regji nga Drande Xhaj “Mjeshtër i Madh”, shfaqja trajton në mënyrë artistike dhe edukative ndikimin e teknologjisë në jetën e fëmijëve, duke nxitur komunikimin, lojën dhe marrëdhëniet njerëzore përtej ekraneve.
Çmimet e fituara:
Çmimi për Tematikën më të Mirë
Çmimi Special “Onufri”
Çmimi Regjia më e mirë
Ky vlerësim është një dëshmi e talentit dhe përkushtimit të fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”, si dhe e punës së palodhur të ekipit artistik që solli në skenë një vepër me vlera të veçanta edukative dhe shoqërore.






