Kur ka kaluar afati “RTV Ora” dhe “Ora News” mbeten të sekuestruara duke shkaktuar dëme që në vlera financiare llogariten me miliona euro.
Avokatët e presidentit të Yldon Media Group, zotit Ylli Ndroqi kërkuan sot në Gjykatën Speciale shuarjen e masës së sekuestros për RTV Ora dhe Ora News, duke e bazuar kërkesën e tyre në faktin se ka kaluar afati dy vjeçar dhe nuk flitet më për ligjshmëri.
Jordan Daci: “Çdo ditë që kalon nuk flitet për ligjshmëri por me vendime të cilat në themel nëse do të vijojnë të mbeten kështu siç janë krejtësisht të paligjshme dhe nuk bëhet fjalë për të intepretuar ligjin por për një ligj që secili e intepreton sipas oreksit të vet” tha avokati Jordan Daci në përfundim të seancës.
Gjykata e shtyu vendimin për 21 shtator kur kërkoi që avokatët të paraqesin prova.
Çështja në arbitrazh
Ndërkohë çështja tashmë ka kaluar dhe në arbitrazh.
Avokati Enis Daci, përfaqëson interesat e zonjës Mimoza Ndroqi në një arbitrazh kundër Republikë së Shqipërisë ku vlera e dëmit llogaritet në 130 mln euro
Enis Daci: Sot që flasim pretendimi financiar për dëmin e shkaktuar nga kjo procedurë, ndaj Mimoza Ndroqit është të paktën 130 milion euro. Po e përsëris edhe njëherë: 130 milion euro. Dua të theksoj se kjo shumë përmban një interes prej 5%, çka nënkupton, vetëm ky interes pa folur për principalin çdo mënyrë ekstraligjore dhe në cënim të drjetpërdrejtë dhe ulëritës të ligjit i kushton dhe do ti kushtojë taksapaguesëve shqiptarë një shumë prej të paktën 18 mijë eurosh në ditë.
Çdo ditë që shtyhet ky proces, taksapaguesit shqiptarë do të detyrohen të paguajnë 18 mijë euro në ditë për hir të mënyrës, metodave dhe instrumentalizimit të gjyqësorit shqiptar. Kur them instrumentalizim nënkuptoj: Organin e akuzës dhe Gjykatën në veçanti.
Avokati ka dhe një thirrje për të mos ndërhyrë por të lejojnë gjyqësorin të veprojë sipas ligjit
Enis Daci: “Eshtë situatë kritike. I lutemi të gjithë njerëzve që janë prapa kuintave të mos ndërhyjnë, të mos instrumentalizojnë gjyqësorin. Ta lejojnë gjyqësorin të veprojë në bazë të ligjit”
Avokati argumenton si ka përfunduar afati i sekuestrimit që ka përfunduar dhe gjykata dhe prokuroria është jashtë afatit procedurial
Besnik Muçi: Çdo ditë që kalon nga data 3 gusht 2022 Gjykata dhe Prokuroria është në shkelje të hapur të të gjitha rregullimeve ligjore, kushtetuese. Neni 1 i protokollit të Konvetës së të drejtave të njeriut parashikon që e drejta e individit për të gëzuar i qetë pasurinë. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon qartësisht mbrojtjen e të drejtës së pronësisë, edhe cënimet e pronësisë, sot rregullohet me ligj. Sa kohë që Gjykata është në shkeljë te plotë me ligjin që rregullon cënimet e gëzimit të pronësisë, ne e kemi të vështirë të përcaktojmë se ku jemi, pasi kemi dalë nga kuadri ligjor.