Ndryshime në drejtimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Gentian Berberi pritet të largohet nga detyra e drejtorit pas afro 11 muajsh në krye të uniformave blu në qarkun e Shkodrës.
Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se në vend të tij do të emërohet Dashamir Spaho, një emër i njohur për strukturat e policisë në Shkodër, pasi më herët ka ushtruar detyrën e zv/drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë në këtë qark.
Lëvizja vjen në një periudhë të rëndësishme, në prag të sezonit turistik, kur strukturat e rendit përballen me një angazhim më të madh në zonat bregdetare dhe turistike.
Ndërkohë, pak ditë më parë u regjistrua një tjetër ndryshim në Policinë e Shkodrës, pas pezullimit nga detyra të shefit të Komisariatit të Policisë Shkodër, Bekim Lika, lidhur me rastin e një parcele me kanabis të zbuluar në zonën e Velipojës. Në vend të tij është emëruar Erjon Dume.
Gentian Berberi mori drejtimin e Policisë së Shkodrës rreth 11 muaj më parë, pasi zëvendësoi Fatmir Lleshin. Para emërimit në Shkodër, ai drejtonte Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës. Ende nuk është bërë e ditur se cili do të jetë posti i tij i ri pas largimit nga Shkodra.
Nga ana tjetër, Dashamir Spaho rikthehet në qytetin verior me një detyrë më të lartë. Së fundmi ai ka qenë i angazhuar në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa tashmë pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e Policisë së Shkodrës.






