Pas 16 vitesh me fanellën kuqeblu, Ardit Krymi ka njoftuar zyrtarisht largimin e tij nga Vllaznia, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij në klubin shkodran. Mesfushori i njohur e bëri publik vendimin përmes një mesazhi emocional drejtuar tifozëve, ku shprehu zhgënjimin për mënyrën se si është trajtuar gjatë periudhës së fundit.
Statusi i plote:
Pershendetje
Te dashur tifoze dhe sportdashes shkodran,sot njoftoj largimin tim nga Vllaznia.
Kam dhan gjithçka për këtë fanellë. Kam luajtur me zemër, me përkushtim dhe me respekt për klubin, qytetin dhe mbi të gjitha për tifozët, të cilët kanë qenë gjithmonë forca jeme më e madhe.
Kam hesht për një kohë të gjatë nga respekti për klubin dhe tifozët, por mendoj se ka ardhur momenti të them disa gjëra.
Gjatë gjithë karrierës teme kam punuar me shumë trajnerë dhe kam kaluar momente të vështira e të bukura, por kurrë nuk jam ndjerë kaq i pavlerësum se gjatë kësaj periudhe. Kam duruar më shumë sesa duhet, kam respektu vendime me të cilat nuk kam qenë dakord dhe kam vazhdu të jap maksimumin për fanellën.
Nuk kam kërku privilegje, vetëm respektin që besoj se e kam meritu pas gjithë viteve të sakrificës dhe kontributit në futboll.
Për hir të tifozëve zgjodha të hesht dhe të mos krijoj polemika, por heshtja nuk duhet ngatërruar me pranimin e padrejtësive.
Largohem me ndërgjegje të pastër, por me pengun ma te madh mos fitimin e titullit ne shkoder.Falenderoj tifozët që më kanë mbështetur gjithmonë.Ju keni qenë arsyeja pse kam luftu deri ne sekonden e fundit ne fushe.
Gjithashtu falenderoj te gjithe cunat e ekipit per keto vite qe i ndam se bashku.






