Kryeministri Edi Rama pritet paraditen e së shtunës të drejtojë mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të marrin pjesë edhe ministrat. Sipas axhendës, mbledhja do të nisë në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave , ku fjalën hapëse do ta ketë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla e më pas kryeministri Edi Rama. Si pikë e parë në agjendë është informimi mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit. Deputetët socialist do të kenë në dispozicion secili nga 2 minuta kohë për të drejtuar pyetje. Në dokumentin e agjendës, si pikë e dytë renditet informimi mbi Paketën e Ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pika e tretë e agjendës, e cila mund të konsiderohet si më e rëndësishmja, ka të bëjë me informimin mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik në ishullin e Sazanit. Sakaq, Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Administrative, parashikohet në agjendë të informojë kolegët e Grupit socialist mbi ecurinë e deritanishme të reformës territoriale. Kryetari i Grupit, Taulant Balla, parashikohet të bëjë një informim të zgjeruar mbi detyrat e lëna nga mbledhja e shkuar e të njëjtit format, përfshirë performancën e anëtarëve të Grupit parlamentar. Si pikë e fundit e kësaj mbledhjeje parashikohet një fjalë e kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Pritet të shihet nëse kryeministri Rama do të ndalet në zhvillimet e fundit politike apo jo, siç janë largimi nga grupi i PS i Marjana Koçekut apo deklaratat e Elisa Spiropalit për protestën, të shprehura përmes një statusi të gjatë në Facebook 10 ditë më parë.






