238 produkte ushqimore dhe mallra të tjera janë përfshirë në platformën “Pasqyra e Çmimeve”, e cila u mundëson qytetarëve të krahasojnë çmimet në pesë rrjete supermarketesh. Gjatë prezantimit të nismës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se për 212 prej këtyre produkteve do të aplikohen çmime fikse deri më 12 janar 2027. Platforma përfshin 13 kategori produktesh dhe 155 pika shitjeje. Ajo mund të aksesohet nga telefoni celular, ndërsa në një fazë të mëvonshme parashikohet edhe krijimi i një aplikacioni të dedikuar.
Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria nuk do të ndërhyjë përmes vendosjes së çmimeve tavan, pasi në ekonominë e tregut çmimet përcaktohen nga konkurrenca e lirë. Sipas tij, marrëveshja me rrjetet e supermarketeve është arritur përmes mirëkuptimit, me synimin për t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve në kushtet e rritjes së kostove.
Ka shpeshherë thirrje ndaj nesh që të vendosim çmime. Këtë e kemi të pamundur ta bëjmë sepse kemi bërë një zgjedhje të gjithë bashkë si popull në vitin 1990, kur jemi ndarë nga sistemi që i vendoste vetë çmimet dhe kemi zgjedhur një sistem ku çmimet i vendos konkurrenca e lirë. Mirëpo nga ana tjetër pikërisht tek konkurrenca e lirë dhe njëkohësisht tek konkurrenca e ndershme qëndron edhe baza e kësaj nisme të përbashkët me këto subjekte. Besoj që ky do të jetë një lehtësim për konsumatorët. Besoj që do të na duhet punë dhe këtu do të doja edhe ndihmën e subjekteve për ta promovuar këtë nisëm. Këtu ka super oferta nga të gjitha anët, kështu që disa nga ato tabelat e super ofertave mund t’ia lini pasqyrës së çmimeve për të bërë një çikë reklame edhe për pasqyrën e çmimeve në mënyrë që njerëzit ta dinë, ta kuptojnë, të marrin informacion dhe ndërkohë nuk e di se si mund të bashkëpunojmë që dhe këto ekranet të jenë prezente në, të paktën në pikat kryesore ku njerëzit mund të kërkojnë vetë për të parë se ku është produkti i tyre i dëshiruar me çmimin më të arsyeshëm. Nuk diskutohet që koha si gjithmonë do të na mësojë më shumë. Eksperienca edhe e këtij programi do ta mësojë më shumë, por kjo pasqyrë e çmimeve është pjesë e konceptit më të gjerë të ‘’Pasqyrë Albania’’ për të cilën ne po punojmë përditë sepse duam që ta çojmë në një nivel krejt tjetër transparencën në çdo sektor dhe për çdo marrëdhënie mes qytetarëve, shtetit dhe sipërmarrjes në mënyrë që të gjithë të mund të shohin me sytë e tyre në një pasqyrë të besueshme faktet dhe të vërtetat e jetës së përditshme, sepse është mbushur jeta jonë me shumë pasqyra që i kemi secili tek sipërfaqja digjitale e telefonit edhe çfarë nuk na del përpara dhe çfarë nuk shohim e çfarë nuk dëgjojmë, duke u bërë shpeshherë pre’ e shumë manipulimeve, e shumë gënjeshtrave dhe e gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Kështu që krijimi i një pasqyre unike ku shteti është i aksesueshëm me një klik dhe ku njihesh me faktet, ku njihesh me të vërtetat që burojnë nga faktet pa fjalë dhe pa retorikë është shumë i domosdoshëm në këtë kohë dhe ‘’Pasqyra e Çmimeve’’ është pikërisht një nga këta komponentë që sapo është gati për t’u ndezur për të gjithë qytetarët ku nuk ka asgjë tjetër përveç fakteve që lidhen me çmimet e produkteve të shportës dhe të ushqimeve që ata blejnë në jetën e tyre të përditshme.
Nisma synon të zgjerohet më tej. Rama bëri të ditur se objektivi është që deri në fund të vitit numri i produkteve në platformë të arrijë në 1 mijë, duke përfshirë edhe marketet e vogla dhe dyqanet e shitjes me pakicë. Ai paralajmëroi gjithashtu masa ndëshkuese në rastet kur konstatohen shkelje të ligjit dhe abuzime me çmimet.
sot janë mbi 200 artikuj që janë pjesë e kësaj pasqyre. Synimi është që deri në fund të vitit ato të jenë 1.000 dhe kështu të gjithë pa përjashtim të kenë një pamje shumë të qartë të situatës së çmimeve në mënyrë të përditshme. Subjektet nga ana e tyre përditësojnë çmimet në pasqyrë dhe qytetarët nga ana e tyre njihen në mënyrë konstante në kohë reale se në cilin nivel janë çmimet dhe si variojnë ato nga një subjekt tek tjetri brenda marzhit të diskrecionit që çdo subjekt ka në kushtet e ekonomisë së tregut.
Paralelisht me “Pasqyrën e Çmimeve”, është prezantuar edhe nisma “KURSE”, e cila përfshin 325 oferta me çmime të reduktuara. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë prezantimit, ulja mesatare është 13,3 për qind, ndërsa për disa produkte arrin deri në 40 për qind. Të dyja nismat synojnë të rrisin transparencën në treg dhe t’u japin qytetarëve më shumë mundësi për të krahasuar çmimet dhe për të planifikuar blerjet. Përmes përditësimit të çmimeve nga supermarketet, konsumatorët do të mund të informohen se ku i gjejnë produktet më lirë, përpara se të kryejnë blerjet e përditshme.




