Ballina Ekonomi Euro bie në nivele historike, por apartamentet shtrenjtohen! Tregu imobiliar braktis euron...

Euro bie në nivele historike, por apartamentet shtrenjtohen! Tregu imobiliar braktis euron pas 23 vitesh

Rënia e vazhdueshme e euros, e cila ka zbritur për herë të parë nën nivelin e 90 lekëve, po sjell një ndryshim të rëndësishëm në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Pas më shumë se dy dekadash, euro po humbet pozicionin e saj si monedha kryesore e referencës për shitblerjen e pronave, ndërsa leku po rikthehet gradualisht në kontrata.

Sipas agjentëve imobiliarë, ky trend ka nisur të vihet re gjatë tre muajve të fundit dhe tashmë po përfshin segmente të ndryshme të tregut. Ndryshimi është më i dukshëm në shitjen e apartamenteve që janë ende në fazë ndërtimi, ku çmimet në euro po zëvendësohen thuajse plotësisht me vlerat në lekë. E njëjta praktikë po shfaqet edhe në apartamentet e përfunduara dhe në pronat që dalin në rishitje.

Shkaku kryesor lidhet me pasigurinë që krijon kursi i këmbimit. Ndërtuesit dhe pronarët po preferojnë të përcaktojnë çmimet në monedhën vendase për të shmangur humbjet financiare që mund të shkaktohen nga dobësimi i mëtejshëm i euros.

Megjithatë, forcimi i lekut nuk po përkthehet në një avantazh për blerësit. Në disa raste, ndryshimi i monedhës së referencës po shoqërohet me një rritje të vlerës reale të pronave. Kështu, një apartament që më parë ofrohej për 300 mijë euro, sot mund të reklamohet për 300 milionë lekë. Me një kurs këmbimi prej rreth 90 lekësh për euro, kjo shumë përfaqëson afërsisht 333 mijë euro, duke e bërë pronën rreth 11% më të shtrenjtë për blerësin që llogarit të ardhurat në euro.

Ky zhvillim vjen në një periudhë kur kërkesa për apartamente nuk po shënon rritje të ndjeshme, ndërsa çmimet në Tiranë vijojnë të arrijnë nivele gjithnjë e më të larta. Në kullat e reja, vlera e një metri katror kalon edhe 6 mijë euro, duke e bërë blerjen e një banese gjithnjë e më të vështirë për familjet shqiptare. Hendeku mes çmimeve të pronave dhe të ardhurave mbetet i konsiderueshëm, veçanërisht në kushtet kur paga mesatare bruto raportohet në rreth 920 mijë lekë.

Përveç ndryshimeve në monedhën e shitjes, tregu po përballet edhe me faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në ecurinë e tij. Agjentët imobiliarë evidentojnë një ngadalësim të blerjeve të kryera me para të padeklaruara, të lidhur me shtimin e kontrolleve dhe hetimeve nga institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un.

Një tjetër segment që pritet të përballet me vështirësi është ai i pronave luksoze. Për vilat, rezidencat turistike në bregdet dhe apartamentet në kullat e kryeqytetit, pritshmëritë për një rritje të kërkesës në muajt e ardhshëm mbeten të kufizuara.

Për të kuptuar përmasat e këtij ndryshimi, duhet rikujtuar se përdorimi i euros në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme mori hov në vitin 2003, kur ajo zëvendësoi gradualisht dollarin në transaksionet për banesa dhe automjete. Në vitin 2011, euro arriti nivelin historik prej 142.8 lekësh. Por tendenca ndryshoi me kalimin e viteve dhe, që prej vitit 2016, monedha europiane ka humbur rreth 37% të vlerës kundrejt lekut. Një zhvillim që tashmë po detyron edhe tregun e pasurive të paluajtshme të rishikojë mënyrën se si përcakton çmimet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks