Ballina Ekonomi Hani i Hotit kryeson në eksporte, Kakavia në importe, ja çfarë tregojnë...

Hani i Hotit kryeson në eksporte, Kakavia në importe, ja çfarë tregojnë shifrat e Bankës Botërore

Hani i Hotit rezulton pika kufitare tokësore me vlerën më të lartë të eksporteve për kompanitë shqiptare që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë, ndërsa Kakavia mban vendin e parë për vlerën e importeve. Këto janë të dhënat e evidentuara nga një studim i Bankës Botërore, i cili analizon flukset tregtare në pikat kryesore kufitare të Shqipërisë.

Sipas studimit “Lidhja e bizneseve me tregjet: Të dhëna nga portet dhe pikat kufitare për qëndrueshmërinë e eksporteve në Shqipëri”, të publikuar në tetor 2026, gjatë periudhës 2017–2023, kompanitë që kryejnë njëkohësisht importe dhe eksporte realizuan përmes Hanit të Hotit një vlerë mesatare eksportesh prej 78.55 milionë dollarësh në vit.

Në vendin e dytë renditet Kapshtica me 56.85 milionë dollarë, e ndjekur nga Kakavia me 51.94 milionë dollarë dhe Bllada me 4.18 milionë dollarë. Hani i Hotit kryeson edhe për numrin e bizneseve eksportuese në këtë kategori, me një mesatare prej 233 kompanish në vit.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për vlerën e eksporteve për kompani, kryeson Kapshtica me rreth 352.5 mijë dollarë në vit, përpara Hanit të Hotit me 334.8 mijë dollarë dhe Kakavijës me 284.6 mijë dollarë.

Një tjetër panoramë paraqitet në krahun e importeve, ku Kakavia regjistron vlerën më të lartë mesatare vjetore për kompanitë që ushtrojnë të dyja aktivitetet, me 164.77 milionë dollarë. Pas saj renditet Kapshtica me 127.40 milionë dollarë, ndërsa Hani i Hotit me 80.88 milionë dollarë.

Edhe për kompanitë që vetëm importojnë, diferencat mes pikave kufitare janë të dukshme. Hani i Hotit kryeson për numrin e subjekteve, me një mesatare prej 1,450 kompanish në vit, ndërsa Kapshtica regjistron vlerën më të lartë të importeve, me 55.46 milionë dollarë. Kakavia renditet pas saj me 53.74 milionë dollarë.

Studimi evidenton gjithashtu se Kakavia ka vlerën mesatare më të lartë të importeve për kompani në këtë kategori, rreth 91.1 mijë dollarë në vit.

Në total, kompanitë që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë përmes katër pikave kufitare realizojnë importe me vlerë mesatare vjetore prej 378.7 milionë dollarësh, ndërsa eksportet arrijnë në 191.5 milionë dollarë.

Sa i përket shumëllojshmërisë së produkteve, Kapshtica dhe Kakavia kryesojnë në importet e kompanive që kryejnë të dyja aktivitetet, me përkatësisht rreth 1,050 dhe 1,036 kategori produktesh në vit, sipas klasifikimit doganor gjashtëshifror.

Të dhënat e Bankës Botërore evidentojnë rolin e ndryshëm të pikave kryesore kufitare në tregtinë e jashtme të Shqipërisë, me Hanin e Hotit që spikat në eksporte dhe numrin e bizneseve, ndërsa Kakavia dhe Kapshtica kanë peshë të konsiderueshme në flukset e importeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks