Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë vendosur ditën e sotme të kufizojnë praktikën e deritanishme të dhënies së masës “arrest me burg” për personat e akuzuar nga prokuroria në pritje të vendimit të gjykatës.
Në vendimin e zbardhur prej shtatë faqesh argumentohet që vendimi i marrë 15 vjet më parë nga Kolegjet e Bashkuara kur “kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Por pyetja është se çfarë mund të ndodhë tani me të arrestuarit “VIP” nga politika që ndodhen prej më shumë se një viti në paraburgim.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ish-Presidenti Ilir Meta apo edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja kanë mundësinë që të kërkojnë rivlerësimin e masës së sigurisë pas vendimit unifikues të marrë sot nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Në këtë lëvizje të pritshme të tyre, politikanët që ndodhen në paraburgim, mund t’i referohen një paragrafi të vendimit unifikues që ka të bëjë me personalitetin dhe figurën e tyre.
Lidhur me mënyrën e vlerësimit të rrezikshmërisë së veprës dhe të autorit në raport me masën “arrest në burg”, Kolegjet e Bashkuara kanë përcaktuar se “Caktimi i masës arrest në burg ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme, në raport me kushtet dhe kriteret e parashikuara në nenet 228 e 229 të Kodit të Procedurës Penale.
Në caktimin e masës arrest në burg, prokurori fillimisht dhe gjykatat në vijim, kanë detyrimin të japin një arsyetim të individualizuar, të mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, që lidh nevojën e kësaj mase me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit në rastin konkret.
Ky vlerësim duhet të mbështetet në rrethanat specifike të faktit, në mënyrën e kryerjes së veprës dhe në të dhënat që lidhen me personin ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit, përfshirë personalitetin, sjelljen, rrethanat individuale e familjare, si dhe çdo tregues tjetër të rëndësishëm për vlerësimin e rrezikut real procedural ose shoqëror që ai paraqet në çështjen konkrete”.






