Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës ishte në qendër të takimit që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi me drejtues të lartë të Policisë italiane, ku të dyja palët vlerësuan rezultatet e arritura nga bashkëpunimi mes dy vendeve. Në Tiranë, Hita priti Drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar të Policisë italiane, Lorenzo Bucossi, si dhe Drejtorin e Shërbimit Qendror Operativ të Policisë së Shtetit italian, Marco Cali.
Gjatë takimit u vlerësua niveli i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore italiane, si dhe rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe kapjes së personave në kërkim ndërkombëtar.Vlerësim mori edhe funksionimi i skuadrave të përbashkëta hetimore.
Sipas Policisë së Shtetit, Shqipëria ka numrin më të madh të këtyre skuadrave me autoritetet italiane, një tregues i besimit reciprok dhe bashkëpunimit mes dy policive.
Palët vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin për monitorimin ajror dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, duke theksuar rezultatet e arritura në këtë drejtim.
Gjatë takimit u diskutua edhe mbështetja që autoritetet italiane kanë dhënë ndër vite për Policinë e Shtetit, si në aspektin operacional, ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale.
Në fokus ishte edhe bashkëpunimi me Akademinë e Sigurisë, përmes literaturës profesionale, shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave në edukimin policor.
Në përfundim, të dyja palët riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të partneritetit, rritjen e shkëmbimit të informacionit dhe zhvillimin e iniciativave të reja të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë me karakter ndërkombëtar.






