Policia e Shtetit ka finalizuar gjatë 24 orëve të fundit tre operacione policore për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, organizimit të lojërave të fatit dhe transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste në të gjithë territorin e vendit, me 14 autorë të përfshirë, ku 4 prej tyre janë arrestuar dhe 10 janë proceduar në gjendje të lirë. Gjatë kontrolleve janë zbuluar fidanë narkotikë dhe është sekuestruar një sasi e vogël lënde e dyshuar kanabis. Me shqetwsuese situata mbetet nw qarkun e Shkodrws, qe vijon tw jetw nw krye tw listws sw kultivimit. Sa i përket krimeve kundër personit, Policia ka evidentuar 12 raste, me 12 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe një tjetër të shpallur në kërkim, ndërsa për një rast vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe 6 raste të dhunës në familje, me 8 autorë të përfshirë. Dy persona janë arrestuar, pesë janë proceduar në gjendje të lirë dhe një është shpallur në kërkim. Gjithashtu janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrave të mbrojtjes. Në fushën e krimeve kundër pronës është evidentuar një rast vjedhjeje, me një autor të arrestuar, ndërsa janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë, janë proceduar dy dhe është shpallur në kërkim një person tjetër për raste të ndryshme vjedhjeje. Policia po punon gjithashtu për zbardhjen e tre rasteve të tjera. Strukturat policore kanë goditur edhe dy raste të organizimit të lojërave të fatit, ku janë arrestuar dy autorë, si dhe dy raste të krimeve ekonomiko-financiare, me dy shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, për krime kundër mjedisit janë evidentuar dy raste, me një autor të arrestuar dhe një tjetër të proceduar penalisht. Në kuadër të sigurisë rrugore, janë arrestuar pesë drejtues mjetesh për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa tre të tjerë janë proceduar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ashtu, katër shtetas janë arrestuar për kundërshtim të punonjësve të Policisë, ndërsa 16 të tjerë janë proceduar për prishje të qetësisë publike dhe mosbindje ndaj uniformave blu. Strukturat e Policisë Kufitare kanë arrestuar tre shtetas dhe kanë proceduar katër të tjerë për kontrabandë mallrash dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Policia e Shtetit apelon për respektimin e ligjit dhe rregullave të qarkullimit rrugor, duke kërkuar nga qytetarët të shmangin shpejtësinë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin në gjendje të dehur. Gjithashtu, Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.






