Pas denoncimi të rastit në newspower.al lidhur me situatën e mbetjeve në zonën turistike të Thethit, ka reaguar Ndërmarrja e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Shkodër. Ajo sqaron se shërbimi i evadimit të mbetjeve në Theth kryhet rregullisht 3 herë në javë.
Sa i përket pikës së paraqitur në pamjet e publikuara, bëjmë me dije se ajo nuk është një pikë e miratuar grumbullimi mbetjesh nga ana e shërbimit publik. Bëhet fjalë për dy kosha të vendosur brenda oborrit të një subjekti privat.
Pavarësisht kësaj, strukturat tona kanë vijuar t’i evadojnë rregullisht mbetjet edhe nga kjo hapësirë, me përjashtim të rasteve kur aksesi rrugor drejt oborrit të subjektit është i bllokuar dhe mjetet e shërbimit nuk kanë mundësi të hyjnë.
Theksojmë se shërbimi në zonën e Thethit vijon sipas grafikut të përcaktuar, me evadimin e mbetjeve tre herë në javë, ndërsa problematikat e përkohshme të aksesit në pika të caktuara mund të ndikojnë në ndërhyrjen në kohën e zakonshme. Ndërmarrja e Shërbimeve Publike mbetet e angazhuar për garantimin e shërbimeve publike në të gjithë territorin dhe për mirëmbajtjen e pastërtisë në zonat turistike të Bashkisë Shkodër.






