Pas ngjarjes së rëndë ku 56 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan nga ushqimi i konsumuar në ambientet e institucionit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka zhvilluar një vizitë dhe takim me studentët dhe punonjësit në trajnim, duke përcjellë mesazhe për etikë, integritet dhe profesionalizëm.
FJALA E PLOTE:
“Të dashur studente dhe studentë,
Zgjedhja juaj për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë është për t’u vlerësuar, një zgjedhje e rëndësishme për jetën tuaj dhe për kontributin në shoqëri.
Është një vendim që flet për guxim dhe për dëshirën për t’i shërbyer vendit, dhe pa diskutim kjo zgjedhje kërkon përkushtim, disiplinë dhe ndjenjë përgjegjësie.
Akademia është e akredituar nga Ministria e Arsimit, me standarde bashkëkohore dhe e integruar me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ju studioni me kurrikula të Akademisë së Policisë italiane, ndërsa edhe trajtimi financiar është në parametra të kënaqshëm.
Do t’ju këshilloja për tre gjëra: merreni seriozisht dijen, ruani integritetin dhe mos harroni pse keni zgjedhur këtë rrugë.
Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, me ndershmëri dhe përgjegjësi.
Shqipëria ka nevojë për ju, ne kemi nevojë për ju. Unë besoj te ju dhe keni mbështetjen time të plotë.
Ju uroj suksese dhe ju inkurajoj ta përballoni çdo sfidë me dinjitet dhe me përkushtim.”
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm takoi edhe punonjës policie në trajnim për hetimin e krimit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së vazhdueshme profesionale për përmbushjen e detyrës.






