Në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë nisur punimet e konferencës shkencore ndërkombëtare “Conftour 2026”, e organizuar nga Departamenti i Turizmit. Aktiviteti ka bërë bashkë studiues, pedagogë, ekspertë dhe përfaqësues institucionesh nga vende të ndryshme, mbi temen: E ardhmja e turizmit: Përshtatja me digjitalizimin, turizmi i përgjegjshëm dhe me kuptim”, një tematikë që synon të adresojë sfidat dhe transformimet që po përjeton sektori i turizmit në nivel global. Në fjalën e tij, rektori Prof. Dr. Tonin Gjuraj theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit si pjesë e një ekonomie të qëndrueshme dhe të integruar, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të fuqizojë paralelisht sektorë të tjerë si bujqësia, blegtoria, prodhimi dhe ekonomia vendase.
Gjatë dy ditëve të konferencës do të zhvillohen gjashtë sesione tematike, ku personalitete të fushës akademike, politike dhe shkencore, së bashku me ekspertë të biznesit dhe industrisë së turizmit, do të ndajnë perspektiva dhe përvoja mbi të ardhmen e sektorit. Konferenca synon të krijojë një hapësirë bashkëpunimi akademik dhe shkëmbimi idesh mbi zhvillimet më të fundit në turizëm, me fokus të veçantë te inovacioni, qëndrueshmëria dhe transformimi digjital.






