Gjimnazi “28 Nëntori” në Shkodër do të nisë vitin e ri shkollor me një palestër të re dhe terrene moderne sportive, të cilat synojnë t’u krijojnë nxënësve më shumë mundësi për aktivitet fizik dhe zhvillimin e pasioneve të tyre sportive.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila thekson se investimi është realizuar nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër.
Sipas saj, hapësirat e reja sportive do të jenë në dispozicion të nxënësve gjatë orarit shkollor, ndërsa pas përfundimit të mësimit ato do të vijojnë të jenë të hapura për aktivitete sportive dhe për komunitetin.
“28 Nëntori” synon kështu të jetë jo vetëm një hapësirë për zhvillimin e procesit mësimor, por edhe një qendër aktive për sportin dhe aktivitetet komunitare përtej orarit të shkollës, në kuadër të programit pas shkolle.
Investimi në infrastrukturën sportive të shkollës shihet si një tjetër hap drejt krijimit të ambienteve më moderne dhe funksionale për nxënësit, duke nxitur njëkohësisht aktivitetin fizik dhe përfshirjen e komunitetit në jetën e shkollës.






