Ballina Aktualitet Eric Wendt nis misionin si ambasador i SHBA-së në Shqipëri / I...

Eric Wendt nis misionin si ambasador i SHBA-së në Shqipëri / I dorëzon letrat kredenciale Begajt! Prioritet lufta kundër korrupsionit dhe krimit

Pas gati 3 vitesh, Ambasada Amerikane në Tiranë ka sërish një ambasador. Eric Wendt nisi këtë të shtunë misionin e tij në Shqipëri, duke pasuar Yuri Kim, e cila u largua në qershor të vitit 2023. Wendt i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave, ndërsa më pas zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili zgjati gati dy orë. Prej largimit të Yuri Kim, në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë ka qenë Nancy VanHorn, si e ngarkuar me punë. I propozuar nga Presidenti Donald Trump dhe i konfirmuar nga Senati amerikan më 6 gusht, Wendt vjen në Tiranë me një profil kryesisht ushtarak dhe të sigurisë. Ai ka mbi 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe në Forcat Speciale “Green Berets”, ndërsa ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s. Prioritetet e mandatit të tij në Shqipëri, Wendt i bëri të qarta që në dëgjesën e 20 majit në Senat. Mes tyre renditi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe sigurinë kibernetike.Wendt shprehu mbështetje për SPAK, duke vlerësuar edhe bashkëpunimin e Strukturës së Posaçme me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Sipas tij, puna e SPAK mbetet kyçe për sa kohë institucioni ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike. Më 2 tetor, ambasadori i ri do të zhvillojë edhe pritjen zyrtare, ku të ftuar do të jenë përfaqësues të politikës shqiptare nga të gjitha krahët. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej më shumë se 50 vitesh. Ambasada amerikane në Tiranë u rihap më 1 tetor të atij viti, me Christopher Hill si të Ngarkuar me Punë ad interim, ndërsa nga William E. Ryerson në vitin 1991 deri te Yuri Kim, e cila e përfundoi mandatin në vitin 2023, në Tiranë kanë shërbyer 10 ambasadorë amerikanë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks