Ballina Politike Anulohet tenderi 50 milionë euro për hemodializën/ Spahia: Ministrja e Shëndetësisë të...

Anulohet tenderi 50 milionë euro për hemodializën/ Spahia: Ministrja e Shëndetësisë të bëjë transparencë të plotë! Cilat ishin ‘gabimet e rëndësishme’?

Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë, njëkohësisht dhe deputeti i PD, Bardh Spahia, kërkon transparencë nga ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, për anulimin e tenderit rreth 50 milionë euro për shërbimin e hemodializës.

Spahia thekson se tenderi kishte vetëm një ofertues, Diaverum AB, e shpallur fituese më 10 shtator me një ofertë prej 4.44 miliardë lekësh pa TVSH, ndërsa më pas procedura u anulua për shkak të gabimeve ose mangësive të rëndësishme.

Ai kërkon të bëhen publike mangësitë konkrete, përfundimet e auditimit dhe përgjegjësit për hartimin e dokumenteve të tenderit.

Reagimi i plotë:

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, duhet të bëjë transparencë të plotë për anulimin e tenderit të hemodializës me vlerën prej 50 milionë euro. Kjo procedurë, që lidhet me një shërbim jetik për pacientët në pesë spitale rajonale, u zhvillua me vetëm një ofertues. Më 10 shtator u shpall fituese Diaverum AB, me një ofertë prej 4,44 miliardë lekësh pa TVSH. Më pas procedura u anulua, ndërsa shpjegimi i publikuar kufizohet te konstatimi se dokumentet e tenderit përmbanin «gabime ose mangësi të rëndësishme».

Në interpelancën e seancës së 17 shtatorit, pyetjeve të ngritura nga ana ime, ministrja ju përgjigj duke thënë se do të priste përfundimet e auditimit për të marrë vendimet e duhura. Më shumë se një javë më pas, publiku ende pret të mësojë cilat ishin gabimet apo shkeljet, kush i miratoi dokumentet dhe çfarë ka konstatuar auditimi, e kujt është përgjegjësia?
Nuk mundet t’u hidhet hi syve shqiptarëve me një justifikim kaq të përgjithshëm për anulimin e tenderit që kushton dhjetëra miliona euro nga taksat e tyre dhe ka një rëndësi jetike për mijëra të tjerë.

Zonja Ministre, ju duhet të sqaroni publikisht se si u përgatit dhe u mbyll një procedurë prej rreth 50 milionë eurosh, si u shpall fitues operatori, i vetëm pjesëmarrës dhe vetëm më pas u zbuluan mangësi kaq të rëndësishme sa të kërkonin anulimin?

Cilat janë konkretisht këto mangësi dhe në cilën fazë duhej të ishin konstatuar ato?

A ishte anulimi pasojë e një kontrolli të dokumentuar apo në fakt ai synon rihapjen e një procedure të re për të ndryshuar operatorin fitues?

Kush mban përgjegjësi për hartimin dhe miratimin e dokumenteve: drejtuesit e autoritetit kontraktor, përfshirë drejtoreshën që larguat nga detyra vetëm një ditë pasi erdhët në drejtimin e Ministrisë, apo do t’ia faturoni ndonjë zyrtari të thjeshtë?

A është anulimi i tenderit një fakt, një justifikim sepse qëllimi është për t’ia kaluar një operatori tjetër ekonomik të lidhur me Sani Sanilevich, miku i Roni Yeffet dhe Edi Ramës?

Zonja Ministre, ju keni detyrimin t’i bëni publike vendimin e arsyetuar të anulimit, dokumentet ku janë identifikuar gabimet, përgjegjësit për to, përfundimet e auditimit dhe planin që garanton vazhdimësinë e hemodializës për pacientët.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë ndodhi me këtë tender dhe kush do të mbajë përgjegjësi.

Heshtja tregon se ju po i shërbeni vetëm një agjende, shndërrimin e Shëndetësisë nën modelin KAYO në dorë të interesave okulte dhe personale të Edi Ramës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks