Në kuadër të operacionit për hetimet e lidhura me biznesmenin Ergys Agasi, me urdhër të SPAK, deri më tani janë ekzekutuar 2 urdhërarreste. Në pranga ka rënë shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë së Shtetit, Fatjon Kalluçi, si edhe Embro Sulejmani, i arrestuar po ashtu në Durrës. Sulejmani rezulton se punon si kryekamerier në një lokal te rezidenca qeveritare në Durrës (blloku i vilave qeveritare) i cili ishte blerë para pak kohësh nga pronaret e “Kodrës së Kuajve”. Lokali njihet se frekuentohet nga personazhe të politikës, njerëz VIP, mes tyre edhe Ergys Agasi.
Sipas mediave, Sulejmani akuzohet se fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit, veprim ky që dyshohet se është bërë për të fshirë gjurmët e takimeve të Agasit gjate kohes qe kishte frekuentuar këto ambiente.
Ende nuk dihet se çfarë roli dyshohet të ketë pasur ai në këtë çështje, por SPAK ka ushtruar kontrolle edhe në Shkozet, ku familja e Sulejmanit rezulton të ketë një kompani që merret me “import-eksport dhe tregti me shumicë dhe pakicë të artikujve të ndryshëm ushqimorë, industrialë, bujqësorë dhe elektroshtëpiakë”. Kompania Euro Zimeg rezulton në emër të babait dhe vëllait të Sulejmanit.






