Përballë reformave të vazhdueshme, krizave, përbaltjes dhe shenjestrimeve që vijnë nga politika dhe opinioni publik, policia e shtetit në gjithë këto vite ka qënë një prej organizatave më të etiketuara në vendin tonë. “Një jetë me Policinë e Shtetit” është libri me autor Bajram Yzeiraj, ish-ministrin e Rendit në Qeverinë e Stabilitetit dhe ish shefin e policisë në disa qarqe të Shqipërisë, që sjell një skaner të plotë të kësaj strukture. Njeriu që i kushtoi një jetë kësaj uniforme, sot ka rezervat e tij mbi mënyrën si kryhen reformat dhe trajtimi që ju bëhet efektivëve të policisë.
Nga Shkodra ku promovoi librin e tij përpara kolegëve dhe ish kolegëve, Yzeiraj kërkon të kthehet vëmendja tek kjo strukturë, të punohet për pastrimin urgjent të saj nga të inkriminuarit, si dhe të kthehet besimi tek publikut.
Libri është shkruar në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme lehtë, ku gjen shumë përkujtime e përmbledhje të ngjarjeve konkrete nga viti 1970 deri në ditët e sotshme. I ndarë në 4 kapituj, ai prek pika delikate që tregojnë dëmin e shkaktuar në këto 3 dekada brenda stukturës, rolin që ka luajtur ndërhyrja politike, apo ngjarjet e rënda si 2 prilli 1991, sulmi ndaj ambasadave, trazirat e 97-es etj.