Qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi janë dakorduar për hapjen e një pikë të re kufitare në Zogaj që do të lidhë më shpejt dhe më shkurt dy anët e kufirit të banuara me shqiptarë, Shirokën me zonën e Krajës dhe Anës së Malit.

Ali Rrepishti shkon për peshkim që në 6 të mëngjesit në Shirokë, por era e fortë ia largon peshkun. Ndërsa Skender Sukraja, i cili ka punuar në ndërmarrjen e peshkimit para viteve 90, na thotë se numri i peshkatarëve nga disa qindra, është bërë disa mijëra. Banoret nuk guxonin te shkonin për të peshkuar përtej bovave para viteve 90’, por peshkatarët e ndërmarrjes shtetërore, “luftonin për të realizuar planin e shtetit”. Në fshatin Zogaj, sapo kalon Shirokën, po shtrohet traseja e rrugës së re që do të lidhe Zogaj dhe Shirokën me Krajën dhe Anën e Malit në anën tjetër të kufirit. “Asht shumë me randesi për çdo gja,” “asht gja e bukur kjo që bahet”, na thonë punëtorët. Tekniku I rrugës, Zef Koçeku, na shpjegon se rruga do të ndërtohet me standarte modern. “Investim i papamë, me rrugën e re, për 11 kilometra shkon në Shkoder,” na thotë duke shtuar se rruga do të jetë me dy korsi të kalueshme, plus rrugë biçikletash dhe trotuar. Këtu takojmë edhe turistë. Gudulla Roddey është një britanike që jeton në Gjermani. “Do vijmë përsëri, kjo është zona më e bukur, e mrekullueshme”, na thotë. Kalojmë në anën tjetër të kufirit, në fshatrat e Krajës, ku Zyle Ardolli na shpjegon se kjo zonë quhet “Kraja e Shkodrës”.

“Po ishalla, të lumte goja, qejf kena njashtu”, shton. Në Ostros të Krajës takojmë edhe Riza Maxhurin, që na flet për rrugën e re. “Jetike, ky vend do kish marrë frymë edhe njëherë,” thotë. Zyrtari I bashkësisë lokale Nail Popoviq kërkon që rruga të ketë “edhe përmbajtje turistike”.  “Kufiri do të ishte vetëm 6 ose 7 kilometra larg, do të ndihmojë zhvillimin e turizmit”, na thotë.Kraja është zonë e banuar me shqiptarë, por në kohën e Krajl Nikollës emra lagjesh apo fshatrash në zonë u përkthyen në sllavisht, duke bërë që shqiptarë si Naili ta kenë mbiemrin Popoviq, në vend të Priftaj, siç e ka pasur lagjja e tij. Plaga më e madhe në Krajë mbetet ikja e të rinjve dhe ulja drastike e numrit të popullsisë./abc

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu