Ballina Aktualitet Ndryshimet klimatike, Shqipëria ndër vendet më të rrezikuara! Koçiu: Duhet të jemi...

Ndryshimet klimatike, Shqipëria ndër vendet më të rrezikuara! Koçiu: Duhet të jemi të bashkuar, përmbytjet e dimrit s’ndaluan në kufi për të kërkuar pasaportë

Shqipëria renditet ndër vendet me të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tyre. Gjatë  konferencës rajonale “Të bashkuar për klimën”, të zhvilluar në Tiranë, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, tha se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ngjashme por edhe të ndryshme në formën se si adresojnë por edhe se si  zbutin efektet e ndryshimeve klimatike. Shqipëria renditet në nivelet më të larta të vendeve evropiane për sa i përket ekspozimeve dhe prekjes së valëve të të nxehtit apo prej përmbytjeve që kanë prekur vendin në këto 2 dekada”.

Ambasadorja Huber theksoi se kriza klimatike nuk është më një kërcënim i largët, por një realitet që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Edhe një raport i Bankës Botërore vlerëson se Shqipëria, si një nga vendet më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore në Evropë, ka nevojë për rreth 6 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme për t’u mbrojtur nga rreziqet klimatike. Sipas raportit, çdo 1 euro e investuar në përshtatjen ndaj klimës mund të sjellë deri në 10 euro përfitime, ndërsa mungesa e veprimeve mund t’i kushtojë vendit deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Një realitet i njohur dhe nga qeveria shqiptare, e cila madje parashikon një faturë akoma dhe më të lartë. “Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036” flet për nevojën e 9.8 miliardë dollarësh investime për ndërtimin e sistemeve kulluese, argjinaturave, rezervuarëve, teknologjive mbrojtëse ndaj ngjarjeve ekstreme, si dhe për ngritjen e sistemeve moderne të informacionit dhe paralajmërimit.

Në dokument theksohet se këto investime janë të domosdoshme, pasi Shqipëria ka humbur rreth 2.3 miliardë dollarë në tre dekadat e fundit si pasojë e fatkeqësive natyrore.

Në takimin e kësaj të marte, edhe Zv.kryeministrja Albana Koçiu u shpreh se sfidat klimatike mund të përballohen me financime dhe krijimin e një baze të pasur të dhënash.

“Klima menaxhohet nga investime reale, nga tubacione dhe diga që i qëndrojnë kohës, nga sisteme parandalimi dhe nga institucione që reagojnë në kohë. Kjo është përshtatje, jo një dokument, por një sistem që funksionon si i tërë.

E para është financimi, pasi kjo nuk është bamirësi, por financim në sigurinë e përbashkët. E dyta janë të dhënat, pasi nuk menaxhon dot atë që nuk ke të dhëna”,- tha Koçiu.

Një element i tretë sipas zëvendëskryeministres është dhe bashkëpunimi rajonal.

““Duhet të jemi të bashkuar, se klima nuk na lë asnjë alternativë tjetër. Përmbytjet e dimrit të kaluar nuk ndaluan në kufi për të kërkuar pasaportë; zjarret që përfshinë pyjet tona nuk pyetën nëse pyjet ishin shqiptare apo malazeze apo më gjerë në rajon; thatësira nuk konsultohet me zyrat doganore”, vuri në dukje Koçiu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks