Një ndërhyrje e rrallë dhe urgjente neurokirurgjikale është realizuar me sukses në Spitalin e Shkodrës, duke i rikthyer funksionet neurologjike një pacienteje 37-vjeçare, e cila kishte humbur thuajse plotësisht lëvizjen e këmbëve.
Ndërhyrja është kryer nga neurokirurgu Dr. Jurgen Kinka, ndërsa rasti është cilësuar si një dëshmi e rëndësisë së ekspertizës dhe profesionalizmit të mjekëve në spitalin e Shkodrës.
Suksesi i këtij operacioni tregon gjithashtu se raste komplekse dhe urgjente neurokirurgjikale mund të trajtohen me sukses në Shkodër, duke u ofruar pacientëve mundësinë për të marrë shërbimin e specializuar pranë vendbanimit të tyre.
Ngjarja është përshëndetur me mirënjohje ndaj ekipit mjekësor, duke vlerësuar përkushtimin dhe punën e profesionistëve të shëndetësisë në qytet.






