Transferimi me shumë bujë 3 vite më parë i të burgosurve me vendim gjykate me masë shëndetësore nga burgu spital i Zaharisë drejt burgut të Shën Kollit në Lezhë për Kontrollin e Lartë të Shtetit ka sjellë ndryshime shumë të vogla të trajtimit të tyre, ndërsa nëse nuk merren masa urgjente situata do të shkojë në të njëjtat kushte.

Ky është konkluzioni i raportit të fundit të KLSH pas një auditimi të bërë për shëndetin mendor, kryesisht në Burgun e Lezhës dhe në disa spitale psikiatrike të vendit.

KLSH thotë se aktualisht në vendin tonë nuk ka institucione mjekësore të posaçme të cilat të shërbejnë për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer vepra penale, ndaj edhe Burgu i Shën Kollit në Lezhë ka shërbyer si një mjedis fizik për t’i trajtuar, pas një marrëveshjeje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Mundësitë që ofroi transferimi nga Burgu i Zaharisë në IEVP Lezhë nuk u shfrytëzuar maksimalisht nga institucionet përgjegjëse, kjo pasi numri i individëve të akomoduar aty u rrit dhe vijon të rritet, gjë kjo e cila mund të çojë IEVP Lezhë po në të njëjtat kushte ku gjendej më parë Burgu i Zaharisë”, nënvizon KLSH.

Deri në dhjetor 2023 në Shën Koll kishte 220 persona mbi kapacitetin e institucionit, ndërsa gjatë vitit 2024 numri i individëve të trajtuar është rritur, ndërkohë që edhe kushtet mungojnë me ambiente që kanë lagështirë, amortizim dhe një ambient i rrethuar me hekura si në dhoma ashtu edhe në ajrim.

Shifra prej 420 të akomoduarve sot në burgun e Shën Kollit në Lezhë do të reduktohet nëse do të zbatohej në kohë ligji për rishikimin e masës mjekësorë “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” nga gjykatat.  Sipas ligjit të shëndetit mendor rishikimi duhet bërë brenda vitit por edhe pse administrata e Burgut të Lezhës ua ka kujtuar me një shkresë të gjitha gjykatave të rretheve kjo nuk ka ndodhur.

Institucioni, nëpërmjet një vlerësimi të brendshëm, raporton se rreth 58 pacientë të dënuar me masë mjekësore “mjekim i detyruar” dhe 65 pacientë të dënuar me masë mjekësore “shtrim i përkohshëm”, plotësojnë tre kriteret bazë për të kaluar në mjekim ambulator nën kujdesin e familjarëve. Po kështu, edhe 67 shtetas me masë mjekësore që kanë kryer vepra të lehta, të cilët ruajnë kontakte të rregullta me familjarët e manifestojnë sjellje e qëndrime të rregullta në institucion mund të kenë mundësi të mira për të vijuar trajtimin ambulator pranë familjeve”, thuhet në raport. Sa i përket auditimit tërësor KLSH evidentoi se jo vetëm në burg por edhe në spitalet psikiatrike në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër nuk garantohet shërbim cilësor dhe trajtim njerëzor e dinjitoz. Nga këto katër spitale gjendja më e rëndë paraqitet në Tiranë dhe Elbasan, për shkak të mbipopullimit dhe kushteve të rënda në ambiente. I vetmi që i shpëton “notës ngelëse” nga të tjerët është ai i Shkodrës ku situata duket më e mirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu