Ballina Aktualitet Kumbaro inspekton palestrën e re në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër: Hapësira...

Kumbaro inspekton palestrën e re në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër: Hapësira i rikthehet nxënësve dhe komunitetit, fokus te programi pas shkolle

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, vizitoi gjimnazin “28 Nëntori”, një nga institucionet elitë të arsimit në vend.

Gjatë vizitës, Kumbaro inspektoi punimet në palestrën e shkollës, një hapësirë që tashmë i është rikthyer nxënësve dhe komunitetit. Ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e çlirimit të hapësirave publike dhe rikthimit të tyre në funksion të komunitetit.
“Jemi përpjekur të çlirojmë hapësira publike që ne vetë i kemi zënë dhe më vjen shumë mirë që Bashkia Shkodër po e bën këtë në më shumë shkolla dhe në universitet, sepse janë hapësira që i rikthehen publikut,”- tha Kumbaro.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë, Benet Beci, vlerësoi mbështetjen e Ministrisë së Arsimit për investimet në shkolla dhe terrene sportive. Ai theksoi se hapja e këtyre hapësirave është vetëm hapi i parë, ndërsa investimi dhe vënia e tyre në funksion është thelbësore.
“Është një bashkëpunim mes shkollës, bashkisë dhe Ministrisë së Arsimit që ka bërë të mundur këtë investim. Kjo është një shkollë me histori dhe vlera, dhe kemi punuar për të ruajtur çdo detaj të saj,”- tha Beci.

Ministrja Kumbaro nënvizoi rëndësinë e riorganizimit të shkollave përtej orarit mësimor, ku falë rritjes së pagesës për mësuesit dhe vendimit të ri të qeverisë, krijohen mundësi për përfshirjen e mësuesve nga lista e pritjes dhe profesionistëve të tjerë.
“Duke qenë se në Shkodër kemi shumë artistë, me vendimin e ri të qeverisë keni mundësi t’i angazhoni në shkolla. Po ashtu mund të tërheqim mësues në prag pensioni apo nga lista e pritjes së portalit ‘Mësues për Shqipërinë’, për të zhvilluar orë shtesë, përfshirë ato mjedisore dhe bujqësore. Është shumë e rëndësishme të organizohemi përtej orarit mësimor, pasi tashmë kemi edhe mundësitë ligjore dhe financiare,”- tha Kumbaro.

Në takimin me mësues dhe nxënës, ministrja vlerësoi gjimnazin “28 Nëntori” si një nga shkollat më ekselente në vend, duke theksuar rolin e rëndësishëm të përkushtimit të mësuesve dhe punës së vazhdueshme të nxënësve në arritjen e rezultateve të larta. Gjimnazi “28 Nëntori” ka 700 nxënës dhe mësues dhe shënon një sërë arritjesh në olimpiada, në kampionate e festivale kombëtar dhe ndërkombëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks