I pandehur nga SPAK për korrupsion në zgjedhje, kryebashkiaku i Vaut të Dejës Kristian Shkreli, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme për çështjen në ngarkim të tij për korrupsion zgjedhor.
Para GJKKO, ai është shprehur se s’ka ofruar e premtuar asgjë në këmbim të votës. Sipas tij, fshati Stajkë kishte problematika me energjinë elektrike prej vitit 2019 dhe ai bënte vazhdimisht telefonata për çështjet që ngrinin banorët.
Për fjalën “zjerm” në mesazhin që i përmend prokurori Dritan Prençi, Shkreli thotë se i referohet brohoritjeve e duartrokitjeve që dëshironte të kishte në miting.
Kristian Shkreli: Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës, fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike, unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve, unë mund të jem edhe sot në përgjim, dje mora një drejtor tjetër se kishte problem me dritat në një fshat tjetër, marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematikë e më vijnë ankesa, mesazhi që prokuroria thotë “jepi zjerm” është që unë kam kërkuar që në takimin elektoral që ishte lënë të kishte brohoritje, ovacione, jo të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune. Unë kam kërkuar që të vijnë sa më shumë njerëz në miting, si tek i PS dhe ai i PSD, ka qenë situatë e tensionuar, 500 herë më kanë marrë në telefon për problemin e banorëve, nuk më pushonte telefoni nga ankesat, banorët kishin 2 javë pa drita, një frazë që prokuroria thotë që i kam thënë banorëve “ia kam dhënë unë lekët”, është që të bindja qytetarët që defekti i linjës do rregullohej, por unë s’i kam dhënë asnjë lek OSHEE. Agjentët e BKH erdhën tek banesa dhe lokali im, ishin më shumë forca policie, çunat e nderuar më kontrolluan, më morën telefonin që kisha në dorë, i pyeta çfarë ju duhet, më thanë më jep password-in e celularit, i thashë patjetër, ia hapa celularin, ia dhashë.
Prokurori i SPAK, Dritan Prençi: I pandehur, janë disa biseda në celular që i ke thënë: “Të martën e ke të kryer, veç shife mos po na vonon veç për Tomën, zjarr, si me ken për mua jua di për nder.” Për çfarë flitet në këtë përmbajtje të kësaj bisede? I ke thënë në celular: “Nuk e presim dot shtetin se shteti e ka në terezi”, çka ke dashur të thuash? “Sot më prune preventivin”, i ke thënë, çfarë pune i kreve?
Kristian Shkreli: E kam thënë si batutë t’i mbushja mendjen që këtë problem po e zgjidh unë, fjalën “zjarr” e kisha që tek mitingu i Tom Doshit të vini sa më shumë njerëz.
Shkreli dyshohet se ishte i angazhuar në zgjedhjet e majit 2025 për të ndërtuar linjën elektrike në fshatin Stajkë, në këmbim të votës së banorëve të Partinë Socialdemokrate.






