Ipeshkvijtë dhe administratorët dioqezanë të Kishës Katolike në Shqipëri kanë nisur sot vizitën “Ad Limina Apostolorum” në Vatikan, një ngjarje e rëndësishme që forcon lidhjen e Kishës në Shqipëri me Selinë e Shenjtë dhe pasardhësin e Shën Pjetrit. Vizita nisi me kremtimin e Meshës së Shenjtë në Bazilikën Papnore të Shën Gjon Lateranit, të udhëhequr nga imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit dhe president i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.
Gjatë kremtimit, ipeshkvijtë ia kushtuan lutjet popullit shqiptar dhe besimtarëve që u janë besuar përkujdesjes së tyre baritore. Një kujtim i veçantë iu kushtua edhe imzot Simon Kullit, shërbimi dhe dëshmia e të cilit vijojnë të mbeten të gjalla në kujtesën e atyre që e kanë njohur.
Në fjalën e tij hyrëse, imzot Gjergj Meta theksoi rëndësinë e kësaj vizite si një mundësi për të ripërtërirë bashkimin me Selinë e Shenjtë, për të ndarë përvojat baritore dhe për të reflektuar mbi misionin ungjillëzues të Kishës në realitetin e sotëm shqiptar. Eukaristia u shndërrua gjithashtu në një moment përkujtimi dhe lutjeje për imzot Simon Kullin. Imzot Meta kujtoi se, një vit më parë, gjatë Vitit Jubilar, ipeshkvijtë shqiptarë kishin qenë në të njëjtin vend së bashku me të, ndërsa këtë herë e kujtuan me mall dhe dashuri në lutjet e tyre. Vizita “Ad Limina Apostolorum” përbën një moment të rëndësishëm për jetën e Kishës, duke u dhënë barinjve mundësinë të forcojnë bashkimin kishtar, të ndajnë përvojat e tyre dhe të ripërtërijnë përgjegjësinë në shërbim të Ungjillit dhe të popullit të Hyjit në Shqipëri. Në këtë periudhë, besimtarët ftohen t’i shoqërojnë ipeshkvijtë shqiptarë me lutje, që kjo vizitë të jetë një kohë bashkimi, reflektimi dhe frytshmërie për misionin e Kishës Katolike në vend.






