Një përplasje mes dy familjeve në fshatin Dedaj të Pukës ka përfunduar me dy persona të plagosur. Të lënduarit janë transportuar në Spitalin e Pukës, ku po marrin trajtim mjekësor, ndërsa deri më tani nuk ka informacion zyrtar për gjendjen e tyre shëndetësore. Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, në zonë kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e konfliktit.
Burime paraprake bëjnë me dije se në komisariat është shoqëruar shtetasi Fatjon Shkreli. Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Sipas të dhënave të para, përplasja dyshohet të ketë ndodhur mes familjeve Shkreli dhe Istrefi, të cilat prej vitesh kanë pasur mosmarrëveshje të lidhura me çështje pronësie.






