Ballina Ekonomi Kompensimi për naftën ende pa u disbursuar/ Operatorët e Transportit: Do të...

Kompensimi për naftën ende pa u disbursuar/ Operatorët e Transportit: Do të detyrohemi të rishikojmë flotën e autobusëve

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për disbursimin e kompensimit për karburantin për muajt mars, prill dhe maj 2026. Në një letër drejtuar ministrive të Financave, të Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjetikës, Pushtetit Vendor ngrenë shqetësimin se pavarësisht se kanë plotësuar dokumentacionin ende nuk kanë përfituar masën financiare të kompensimit të naftës. Vendimi i miratuar më herët nga qeveria parashikon kompensim të operatorëve të transportit publik në masën 50 lekë për litër karburant, për sasinë e karburantit të konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026. Në letër theksohet se operatorët kanë përmbushur detyrimet që lidhen me dokumentimin e aktivitetit të transportit, sasitë e karburantit të konsumuar dhe elementet e tjera të kërkuara për përfitimin e kompensimit. Por pavarësisht përmbushjes së këtyre procedurave dhe faktit që masa e kompensimit është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, operatorët vijojnë të mos kenë përfituar financiarisht kompensimin për të tre muajt, mars, prill dhe maj 2026.

“Kjo situatë po krijon vështirësi të konsiderueshme në administrimin financiar të operatorëve, të cilët, në pritje të zbatimit të vendimit dhe disbursimit të kompensimit, kanë vijuar të përballojnë me burimet e tyre financiare kostot e aktivitetit, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët”.

Sipas operatorëve çmimi i karburantit vijon të qëndrojë në nivele të krahasueshme me ato të muajve për të cilët u miratua kompensimi, duke ruajtur të njëjtën barrë financiare mbi operatorët.

“Për rrjedhojë, operatorët janë duke u përballur me një mungesë të vazhdueshme likuiditeti dhe me rritje të kostove operative, duke cenuar drejtpërdrejt mundësinë për të mbajtur në qarkullim të gjithë flotën e mjeteve të nevojshme për realizimin normal të shërbimit publik.

Përveç disbursimit të menjëhershëm të shumës së miratuar për muajt mars, prill dhe maj, dy shoqatat kërkojnë që skema e mbështetjes financiare të vijojë edhe pas muajit maj 2026, për sa kohë që çmimet e karburantit dhe kushtet ekonomike që justifikuan ndërhyrjen e qeverisë vazhdojnë të jenë të pranishme”, theksohet ndër të tjera në letër. Shoqatat e Transportit paralajmërojnë se situata mund të ndikojë edhe në kapacitetet operative të operatorëve.

“Në rast se nuk do të ketë një reagim konkret dhe në kohë nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e situatës, operatorët e përfaqësuar nga të dyja shoqatat do të detyrohen të rishikojnë kapacitetet operative dhe numrin e mjeteve të transportit publik që mund të nxjerrin në qarkullim, në përputhje me mundësitë reale financiare dhe operative të secilit operator.

Duke vlerësuar rëndësinë sociale dhe ekonomike të transportit publik dhe ndikimin që çdo reduktim i kapaciteteve do të kishte mbi qytetarët, presim trajtimin me prioritet të kësaj kërkese dhe një përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse, perfundon reagimi i tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks