Kandidatja për komisionere të Zgjerimit e BE-së, sllovenia Marta Kos, duke folur për zgjerimin, ka thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për Zgjerim.

Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.

“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.

Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kos theksoi se gjatë mandatit të saj, nëse do të emërohet, do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e zgjerimit.

Kos u propozua për këtë post në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do ta zëvendësojë në këtë pos Oliver Varhelyin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu