Deputeti i PD-së, Bardh Spahia, ka kundërshtuar Reformën Territoriale të mazhorancës, duke e cilësuar atë një “pazar elektoral” që shpërfill vullnetin e qytetarëve.
Spahia u bën thirrje deputetëve socialistë të mos e votojnë draftin, ndërsa qytetarët i fton të protestojnë më 8 tetor.
“Nuk mund të heshtim më! Është koha për qëndresë, për demokracinë, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit”, shprehet Spahia.
Reagimi i plotë:
NDALNI MASAKRËN TERRITORIALE!
Miratimi i njëanshëm i Reformës Territoriale nga Partia Socialiste, pa konsensusin e opozitës dhe duke shpërfillur brutalisht kundërshtinë e mijëra banorëve dhe dhjetëra bashkive, është një akt arrogance dhe dhune ndaj demokracisë. Një qëndrim i tillë nuk është i bazuar në mirëqenien e qytetarëve, por një pazar i pastër për përfitime elektorale në tavolinë.
Në vend që t’i ofrojë shërbime qytetarit, kjo hartë, qartësisht elektorale, thellon izolimin, rrit varfërinë dhe e zbraz Shqipërinë çdo ditë e më shumë nga të rinjtë dhe familjet që nuk shohin më asnjë perspektivë.
Të papërgjegjshëm dhe të nënshtruar deputetë socialistë, ju po e shkretoni këtë vend vetëm për të mbajtur me çdo kusht karriget tuaja! Jo vetëm nëpërmjet shndërrimit tuaj në marioneta të krimit, por tashmë edhe me një reformë që shkon totalisht në kundërshtim me vullnetin dhe interesin e qytetarëve.
I bëj thirrje çdo deputeti në Parlamentin e Shqipërisë, i vetëdijshëm që ndoshta krejt pak nga ju do gjeni dinjitetin për të dalë në krah të bashkëkombasve tanë. Mos e votoni këtë draft në seancën plenare! Të ngresh kartonin jeshil për këtë reformë do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor në një krim historik që po i bëhet të ardhmes së kombit. Refuzojeni këtë diktat dhe tregoni vetëm një herë që jeni aty për interesin e qytetarëve, jo për llogaritë e partisë.
Qytetarë, fati i vendit dhe i jetëve tona nuk mund t’i lihet në dorë një grushti njerëzish që po e trajtojnë Shqipërinë si pronën e tyre private. Nuk mund të heshtim më! Ju ftoj të gjithëve të ngrihemi në këmbë, të bashkuar dhe pa asnjë hap pas.
Të gjithë në protestë, më 8 Tetor! Për të mbrojtur demokracinë, dinjitetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Është koha për qëndresë!
https://www.facebook.com/share/19YUnxLPHL/?mibextid=wwXIfr






