Shiroka vijon të kompletojë grupin për sezonin 2026-27 në Kategorinë e Dytë dhe këtë herë ka siguruar shërbimet e sulmuesit shkodran Vildan Kaçubela. 28-vjeçari bashkohet me skuadrën pas eksperiencës së sezonit të kaluar te Basania. Gjatë karrierës së tij, Kaçubela ka luajtur edhe për Tërbunin, Ilirinë dhe Murlanin, duke krijuar një eksperiencë të konsiderueshme në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar. Sinjalet e para me fanellën e Shirokës kanë qenë mjaft pozitive. Sulmuesi e ka nisur aventurën e re duke shënuar në miqësoren ndaj Vllaznisë U-19, sfidë të cilën Shiroka e fitoi me rezultatin 5-2. Ky gol i hershëm në fazën përgatitore është një tregues i mirë si për Kaçubelën, ashtu edhe për skuadrën e re. Shiroka synon të ndërtojë një ekip sa më konkurrues dhe në repartin ofensiv pritet të ketë një rol të rëndësishëm edhe sulmuesi shkodran.
Me sezonin e ri që po afron, Kaçubela do të kërkojë të konfirmojë formën e treguar që në miqësoren e parë dhe të bëhet një nga alternativat kryesore të Shirokës për golat në kampionat.






