Kardinali shqiptar Ernest Simoni është nderuar me çmimin më të lartë të qytetit të Firences, “Fiorino d’Oro”, në një ceremoni të zhvilluar në Palazzo Vecchio. Dorëzimi i këtij vlerësimi përbën një moment të veçantë dhe emocionues, ndërsa vjen në një vit jubilar për kardinalin Simoni, që shënon 70-vjetorin e shugurimit të tij meshtarak dhe 10-vjetorin e emërimit kardinal. Historia e kardinalit Ernest Simoni përfaqëson një dëshmi të jashtëzakonshme të besimit, lirisë dhe qëndresës. I cilësuar si “martir i gjallë”, ai vuajti për 28 vite në burgje dhe në punë të detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, duke mos iu nënshtruar kurrë urrejtjes dhe hakmarrjes.
Pavarësisht vuajtjeve dhe persekutimit, ai mbeti një simbol i faljes, paqes dhe qëndresës shpirtërore. Gjatë viteve të fundit, kardinali Simoni ka pasur një prani të vazhdueshme dhe të çmuar në jetën e qytetit të Firences, duke u dalluar për përkushtimin shpirtëror dhe vëmendjen ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj personave dhe kategorive më në nevojë. Përmes këtij vlerësimi të lartë, qyteti i Firences shpreh mirënjohjen ndaj kardinalit Ernest Simoni, një figurë që e shndërroi dhimbjen dhe vuajtjet e përjetuara në një mesazh drite, shprese, faljeje dhe paqeje.






