Shkodra synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes krijimit të partneriteteve të reja me institucionet akademike evropiane. Në këtë kuadër, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, Marina Duhani, së bashku me një delegacion të Këshillit Bashkiak Shkodër, zhvilloi një vizitë në Universitetin e Alicante-s në Spanjë.
Gjatë takimit me Juan Llopis Taverner, Drejtor i Marrëdhënieve dhe Projekteve Institucionale në këtë universitet, u diskutuan mundësitë për vendosjen e një bashkëpunimi afatgjatë në disa fusha me rëndësi për zhvillimin e rajonit, si arsimi, turizmi dhe zhvillimi rajonal.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësive të përfshirjes në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, të cilat mund të krijojnë hapësira të reja për shkëmbim përvojash, zhvillim institucional dhe promovim të potencialeve të Shkodrës.
Si një hap konkret drejt realizimit të këtij bashkëpunimi, palët ranë dakord për organizimin e një vizite të afërt të përfaqësuesve të Universitetit të Alicante-s në Qarkun Shkodër. Kjo vizitë pritet të shërbejë për identifikimin e fushave prioritare dhe konkretizimin e projekteve me interes të përbashkët.
Takimi në Spanjë vjen si pjesë e angazhimit për zgjerimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e rajonit të Shkodrës, përmes bashkëpunimit me institucione akademike dhe partnerë evropianë.
Shkodra synon kështu të zgjerojë rrjetin e bashkëpunimeve evropiane, duke vënë në fokus arsimin, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.






