Të nderuar qytetarë të Shkodrës,
Sot, më shumë se kurrë, është koha të dallojmë qartë mes dy rrugëve politike që na janë shtruar përpara:
Njëra është rruga e zhurmës, e bllokimit dhe e pengesave – një model që për vite të tëra e la Shkodrën në harresë, pa zhvillim, pa investime dhe pa vizion.
Tjetra, është rruga që kemi zgjedhur ne Bashkia Shkoder sot, dhe Partia Socialiste: rruga e punës, e investimeve të qëndrueshme dhe e një zhvillimi që nuk ndalet.
Sot dua të ndaj me ju një tjetër dëshmi konkrete të kësaj rruge: një paketë investimesh historike për shkollat dhe kopshtet e Shkodrës, me një vlerë totale mbi 12 milionë euro. Po, 12 milionë euro investime për arsim, që deri dje duken të pamundura, por sot janë realitet.
Vetëm nga granti prej 4.5 milionë euro i fituar nga Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, do të rikonstruktohen:
• Shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali”
• Kopshti “Ton Alimhilli”
• Palestra e gjimnazit “28 Nëntori”
• Do ndërtohen fushat sportive në shkollën “Tring Smajli” në Rrethina
Ndërkohë, po ecën me ritëm edhe puna për:
• Rikonstruksionin e shkollave “Ndre Mjeda” dhe “Kolë Idromeno”
• Terrenet sportive në 3 shkolla të tjera
• Rikonstruksionin e plotë të shkollave profesionale “Hamdi Bushati” dhe “Arben Broci”, falë mbështetjes së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI)
Të gjitha këto nuk janë thjesht shifra – janë jetë më e mirë për nxënësit, kushte më dinjitoze për mësuesit, dhe siguri për prindërit. Janë dëshmi e një përkushtimi të palëkundur që Partia Socialiste ka ndaj qytetit të Shkodrës.
Në krahun tjetër, opozita vazhdon të luajë rolin e pengmarrësit: në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ata bllokuan fondet për transformimin e “Kinema Republikës” dhe kundërshtuan menaxhimin e plazheve uljen e tarifave në plazhin e Velipojës – vendime që ishin për qytetarët, por që ata zgjodhën t’i kundërshtojnë, vetëm për interes politik.
Modeli ynë është i qartë: punë, investime dhe rezultate konkrete.
Modeli i tyre është po aq i qartë: bllokim, rrëmujë dhe asnjë kontribut për qytetin.
Ne nuk premtojmë me fjalë boshe – ne flasim me kantierë ndërtimi, me shkolla që marrin jetë, me projekte që po ndryshojnë realisht fytyrën e Shkodrës. Vizionin tonë për Shkodrën 2030 e kemi nisur ta ndërtojmë sot, me çdo hap që hedhim bashkë me ju.
Shkodranët e dinë mirë se kush po punon dhe kush po pengon.
Unë jam krenare të jem pjesë e një ekipi që nuk ndalet dhe që ka në qendër vetëm një qëllim: zhvillimin e Shkodrës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.
Faleminderit për besimin tuaj! Ne jemi në krahun e duhur ate te zhvillimit – dhe do vazhdojmë të ecim përpara, bashkë!