Triumfi i së Vërtetës mbi Propagandën e Kalbur!
Nga Bardh Spahia
Akti i fundit i largimit të deputetes Mariana Koçeku nga radhët e Partisë Socialiste është certifikata zyrtare e dështimit të një propagande të shpifur që kërkoi të tjetërsojë shpirtin e Shkodrës.
Numri një i listës së tyre, e përzgjedhura dhe e besuara e dyshes Rama-Beci, vendos të ndajë rrugën me këtë sekt politik kriminal duke çjerrur kështu përfundimisht maskën e ndryshimit dhe zhvillimit.
Ky akt është një demaskim i pariparueshëm i të gjithë ngrehinës virtuale të partisë-shtet.
Shkodra nuk mund të gënjehet me fasadë elektorale, ku fondet humbin rrugës nëpër xhepat e teknicienëve mrekullibërës me “dy klasë shkollë”. Ku nën dritat verbuese të skenës së propagandës mashtruese fshihet i njëjti mekanizëm shtypës dhe degradues, vjedhës dhe poshtërues.
Asnjë projekt, asnjë premtim dhe asnjë fjalim i bukur nuk mund të fshehë dot zanafillën e errët të këtij pushteti. Një parti që vjen në qeverisje duke lidhur pakte me krimin, duke përdorur paratë e pista dhe duke shantazhuar vullnetin e lirë të qytetarëve, është e dënuar të dështojë!
Kush vjen në pushtet me ndihmën e krimit, mbetet peng i tij. Nuk mund të ketë emancipim, nuk mund të ketë rrugëtim europian dhe as mirëqenie, kur vendimet nuk merren në zyrat e shtetit, por në errësirën e aleancave okulte.
Largimi i Koçekut tregon se ky kalbëzim i brendshëm ka arritur në pikën ku nuk mund të mbahet më i fshehur. As ata që ranë në grackën e premtimeve të tyre nuk e gjejnë dot më asnjë arsye për të mbrojtur një fasadë që mbytet në korrupsion dhe paligjshmëri.
Shkodra ka qenë dhe do të mbetet bastion i dinjitetit, vlerave njerëzore dhe i antikomunizmit, një qytet që nuk e pranon dot nënshtrimin para hajdutëve në zyra apo krimit padronë real të zyrave të shtetit. Përpjekja për ta gjunjëzuar përmes patronazhistëve, presionit shtetëror dhe strukturave kriminale po merr sot përgjigjen më të mirë nga qytetarët e së fundmi edhe nga vetë radhët e tyre.
Ky zhvillim tregon se propaganda bajate e Rilindjes ka pësuar një infarkt politik në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë. Partia-shtet është e izoluar në llumin dhe gënjeshtrën e saj.
Ky është momenti që çdo shkodran dhe çdo shqiptar të kuptojë se kjo ngrehinë e frikshme në dukje, në të vërtetë është e brishtë dhe e shkërmoqur nga brenda. Nëse vendimi për të thënë “boll ma” nis nga ata që ishin në krye të listës, asgjë nuk mund ta ndalë valën e zgjimit qytetar.
Koha e llogaridhënies po afron. Shkodra nuk do të jetë kurrë pronë e një sekti që e sheh pushtetin si mjet për tu pasuruar dhe për të fuqizuar krimin. Tani është koha që ky ndëshkim moral të kthehet në një reagim të madh qytetar për të kthyer dinjitetin, lirinë dhe votën e lirë në çdo cep të Shqipërisë.
Shkodra ka boll probleme por Shkodra ka dinjitet!






