Këshilltari bashkiak Imeld Sokoli ka reaguar publikisht pas zhvillimeve në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, duke kërkuar fillimisht ndjesë për mungesën e tij dhe më pas duke ngritur akuza të forta ndaj funksionimit të këtij institucioni. Në deklaratën e tij, Sokoli shpreh keqardhje ndaj qytetarëve për mospraninë në mbledhje, ndërsa kritikon ashpër atë që e cilëson si “propagandë skandaloze” brenda Këshillit Bashkiak.
Statusi plote:
Në funksion të asaj çka ndodhi në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Shkodër…
Së pari i kërkoj ndjesë publike qytetarëve të Shkodrës për mungesën time në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Së dyti, dua të vë në dukje propagandën skandaloze që ka pushtuar edhe Këshillin Bashkiak.
Këshilltarë që nuk kuptojnë minimalisht funksionin e tyre. Nuk e kuptojnë që nuk janë administratë bashkie dhe nuk e kuptojnë që janë aty për ta ba me funksionu ma mirë bashkinë, për të përçuar zanin e qytetarëve. Në vend të kësaj, vijnë me i ba fresk kryetarit të pandehur në ikje.
Kthehen në lëpirës të pushtetit me mandat qytetarësh, në shërbim të karrigeve.
Nga ana tjetër, administrata e bashkisë me në krye nënkryetarët gjen mundësi me ba propagandë duke than se gjanat po shkojnë mirë dhe ndryshimi asht real.
Në përgjigje të kësaj retorike flasin faktet:
Niveli i realizueshmërisë së investimeve është 35% nji shifër skandaloze që nuk mbulohet me asnji konferencë shtypi dhe as me propaganden kapilare që ban bashkia.
Bashkia mburret me projekte të nivelit qendror që për 10 vite i tregun gishtin Shkodrës, projekte të zvarrituna qëllimisht e politikisht, në funksion të vizionit të gishtit.
Projekte që qeveria persekutore ja ka borxh qytetit të cilat për fatin e keq të Shkodrës po materializohen në mënyrën ma të keqe të mundshme.
Dy shembuj konkretë të këtij fati të keq:
1. Hyrja e qytetit — Një projekt skandaloz që e ndan në mes lagjen e Bahçallekut dhe nuk jep asnjë zgjidhje për aksesin e hyrjes. Gabim i planifikimit që do ta vëmë re edhe mbas mbarimit të urës. Një investim i gabuar që i heq shansin qytetit për t’i dhënë bulevardin hyrës që e meriton.
2. Parku i Bunës — I betonizuar në të dy anët, ashpërson rrezikun e përmbytjeve të mundshme në të ardhmen. Një mauzoleum-beton-bunker që e pengon Bunën me u pa e natyrën me u ndi.
Këto projekte që na shiten si “investime madhore” janë, në realitet, fati i keq i Shkodrës për vetë mënyrën si po materializohen për të mos fol për impakt ekonomik lokal. Investime të cilat, me siguri, do të na lindë nevoja me i përmirësu në të ardhmen me investime të reja — pra, duke paguar dy herë për të njëjtin investim.
Shkodra meriton ma shumë se gishta, beton dhe llomotitje këshilltarësh.






