Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në ambientet e institucionit. Ngjarja ka ndodhur pas konsumimit të drekës, kur studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe simptoma të menjëhershme të helmimit.
Sipas burimeve paraprake, shumë prej studentëve janë ndjerë keq pak minuta pas vaktit, ndërsa disa prej tyre kanë pasur komplikacione më serioze dhe janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Dyshimet e para lidhen me ushqimin e servirur në drekë. Akademia e Sigurisë ka një kontratë me një kompani private, e cila ofron shërbimin e kateringut për tre vaktet ditore të studentëve.
Pas incidentit, institucionet përgjegjëse kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të verifikuar standardet e sigurisë ushqimore. Ende nuk ka një reagim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të studentëve apo rezultatet paraprake të analizave.






