Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me zjarrin e rënë një ditë më parë në një pallat në Tiranë, duke sqaruar masat që do të merren për familjet e dëmtuara. Në reagimin e tij, Rama theksoi se pallati i djegur do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se, sipas tij, shkaku i zjarrit nuk lidhet me ndërtimin e godinës.
Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet – rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithësesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falenderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara.






