Ballina Politike Deputetët 40 mln lekë në 4 muaj për naftë e bileta avioni;...

Deputetët 40 mln lekë në 4 muaj për naftë e bileta avioni; Kliti Hoti me makinë 70 mijë euro, merr rimbursim pasaporte. Listës i shtohen edhe Mila, Bido, Cara …

Teksa çmimet po rriten dhe një pjesë e madhe e qytetarëve përballen me vështirësi financiare, të vetmit që nuk e vrasin fort mendjen për çmimin e naftës apo koston e jetesës janë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë. Përveçse i rritën rrogat vetes, duke i çuar në mbi 300 mijë lekë të reja në muaj, nuk ngopen me dieta dhe udhëtime.

Sipas të dhënave të Kuvendit, për periudhën janar-prill janë shpenzuar në total për qejfet e deputetëve plot 40,608,208 lekë. Nga këto, 11,200,560 janë shpenzime për bileta avioni; 24,824,738 lekë për karburant; 1,178,610 lekë për ujë të pijshëm dhe 3,404,300 lekë për riparimin e makinave me të cilat lëvizin kryetari, nënkryetarët dhe personeli.

Por ajo që e bën më të dhimbshme situatën është se deputetët, edhe pse kanë miliona, kanë marrë nga 75 mijë lekë të vjetra rimbursim për nxjerrjen e pasaportave. Gjatë muajit janar kanë përfituar rimbursim për pasaportat: Adi Qose, Asfloral Haxhiu, Enriketa Jaho, Genti Lakollari, Ledina Alolli, Manjola Luku dhe Sara Mila.

Ndërsa gjatë shkurtit dhe marsit, sipas të dhënave të bëra sot publike, kanë përfituar: Ilgli Cara, Ardit Bido, Fidel Kreka dhe Kliti Hoti. Ky i fundit është biznesmen. Në ILDKPKI ka deklaruar pasuri miliona euro. Ka disa apartamente, aksione, makinë 70 mijë euro etj. Por, si duket, Kliti Hotit i “dhimbsen” ato 7.500 lekë dhe do t’i marrë nga taksat e qytetarëve. Sipas të dhënave të tjera, vetëm gjatë muajit shkurt janë shpenzuar nga buxheti 2,175,800 lekë si rimbursim telefoni; 4,503,499 lekë për karburant dhe 14,268,101 lekë për dieta. Ndërkohë, për pagat e deputetëve në muajin shkurt janë paguar gati 300 milionë lekë të vjetra.

Për muajin mars janë paguar në total për benefite të deputetëve 22,953,587 lekë, ndërsa për paga 29,315,533 lekë. /Shkruar nga Pamfleti

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks