Bie niveli i ujit në kaskadën e Drinit. Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjitike në liqenin e Fierzës niveli i ujit rezulton se është 268 metra nga 269 që ishte disa ditë më parë. Në hidrocentralet e tjera niveli ka pësuar një ulje me gati 2-3 metra ndërsa prurjet janë përgjysmuar. Nëse bëjmë një vlerësim rezulton se kuotat në kaskadë janë nën mesataren historike .
Sipas rregullores së KESH për Fierzën niveli i liqenit në periudhën 1 prill, 1 tetor parashikohet në kuotën 295 metra i cili rezulton shumë herë më i lartë nga sa është aktualisht.
KESH tashmë po plotëson nevojat e vendit me energji nëpërmjet importit dhe prodhimit në hidrocentrale. Ekspertët parashikojnë një dimër të vështirë në aspektin energjitik. Ndërkohë që shpresat janë te reshjet e shiut. Sipas parashikimeve meteorologjike java e ardhshme pritet të shoqërohet me reshje intensive që do të prekin të gjithë vendin.
Në bursë çmimet e energjisë elektrikë që prej një jave luhaten në rreth 400 euro për megavatorë.
Tashmë qytetarët shqiptarë që prej 1 tetorit pritet që të përballen me kosto të shtuara pasi është vendosur shtrenjtim për qytetarët që shpenzojnë mbi 800 kwh. Qeveria ka parashikuar gjithashtu mbështetje për 2 mijë familje edhe për prodhimin e energjisë nga panelet diellore.