Ballina Aktualitet Bardeli: Për Kosovën nuk ka dhe nuk duhet patur kurrë, asnjë ekuivok

Bardeli: Për Kosovën nuk ka dhe nuk duhet patur kurrë, asnjë ekuivok

Nga Greta Bardeli

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Serbia duhet ta njohë këtë realitet dhe çdo përpjekje për ta trajtuar atë, edhe për shkak të problemeve brenda Beogradit, si pjesë të territorit serb është e papranueshme. Në këtë pikë, çdo institucion shqiptar duhet të flasë me një zë.

Por Edi Rama nuk mund të paraqitet sot si gardiani i madh i interesit të Kosovës vetëm sepse përpiqet të duket interesant në formatin X.

Diplomacia nuk matet me numrin e batutave që bëhen virale. Matet me qëndrimet që mban kur kamerat janë fikur, me aleancat që ndërton dhe me vijën politike që ndjek për vite me radhë.

Për vite, Rama e ndërtoi protagonizmin e tij rajonal mbi afrimitetin personal me Aleksandar Vuçiçin, mbi spektaklin e “Ballkanit të Hapur” dhe mbi idenë se ai mund të ishte ndërmjetësi i madh i rajonit. Në atë kohë, shumë prej shqetësimeve që vinin nga Prishtina trajtoheshin si pengesë për projektet e tij politike.

Sot, papritur, kryeministri shqiptar zbulon “folklorin politik të Beogradit”.

U kthye në realitet zoti Rama??!!

Serbia nuk e ka njohur Kosovën dje dhe nuk e mohoi për herë të parë sot. Narrativa e “Kosovës dhe Metohisë”, pretendimet mbi territorin dhe burimet e Kosovës dhe fantazma e përhershme e “Shqipërisë së Madhe” kanë qenë prej vitesh pjesë e diskursit politik serb.

Prandaj Shqipërisë nuk i duhet një kryeministër që herë shfaqet si miku më i afërt i Vuçiçit me gotën e verës në tavolinë, dhe herë si kundërshtari i tij më i fortë në X.

Shqipërisë i duhet një politikë e jashtme e qëndrueshme dhe strategjike.

Në mbështetje të Kosovës.
Në koordinim me institucionet e Kosovës.
Në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të saj.
Dhe në përputhje të plotë me aleatët tanë euroatlantikë.

Kosova nuk është skenografi për protagonizmin personal të askujt.

As për Beogradin.
As për Tiranën.

Kosova është Republikë.
Dhe mbështetja e Shqipërisë për të duhet të jetë politikë shtetërore, jo status vere i Edi Ramës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks