Me shishet e ujit të ndotur në duar, qirinj dhe pankarta, banorët e Postribës protestuan përpara bashkisë Shkodër për ndotjen e ujit të pijshëm dhe mungesën e energjisë elektrike. Ata thonë se investimi i bashkisë dhe ujësjellësit që pretendon zgjidhjen e problemit të ndotjes së ujit nga guroret në këtë zonë, është vetëm një gënjeshtër.
Protesta u shënua me tension, nga ardhja e forcave të Policisë, teksa vetë banorët artikuluan se kanë një vit që kanë denoncuar guroret në polici dhe prokurori dhe nuk ka ende asnjë veprim nga ana e tyre.
Ndërmarrja e ujësjellësit për qarkun Shkodër ka bërë një investim prej 14 milion lekësh të reja duke e ndarë ujin e përroit me burimin e ujit të pijshëm. Ajo pretendon se kjo ka zgjidhur ndotjen e tij, por banorët e rrëzojnë këtë pretendim, duke shtuar se analizat që kanë bërë dëshmojnë të kundërtën.