Në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Famullia “Zoja e Shkodrës” organizoi mbrëmjen e 27 nëntorit, në sallën “Kardinal Mikel Koliqi”, shfaqjen solemne poetiko-muzikore “Të falem lule kuq e zi”, kushtuar Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një ndërthurjeje të poezisë, muzikës, interpretimit skenik dhe materialeve audiovizive, kjo mbrëmje artistike solli një udhëtim në kujtesën historike, kulturore dhe shpirtërore të kombit shqiptar, duke rikthyer në vëmendje figura të shquara që me veprën dhe përkushtimin e tyre kontribuuan në ruajtjen e gjuhës, identitetit kombëtar dhe ndjenjës së atdhedashurisë.
Shfaqja, me regji dhe libret të Simon Shkrelit, dirigjent maestro Lukë Mllugja dhe koncertmaestër Gjon Shllaku, u çel me fjalën përshëndetëse të famullitarit të Shkodrës, Dom Mikel Pllumaj.
E konceptuar si një homazh për personalitetet e shquara të kulturës shqiptare dhe klerit katolik, mbrëmja vuri në qendër kontributin e tyre në historinë kombëtare, duke përcjellë mesazhin e binomit “Për Atme e Fe”. Nën moderimin e Aleksandra Mazit dhe aktorit Zef Ndoja, publiku u njoh me jetën dhe krijimtarinë e At Gjergj Fishtës, Dom Ndre Mjedës, At Bernardin Palajt, Dom Lazër Shantojës, Dom Ndre Zadejës, At Vinçenc Prennushit, Mark Çunit dhe Pjetër Pepës, si dhe me fjalën e At Anton Harapit gjatë gjyqit special.
Një rol të veçantë në realizimin e kësaj mbrëmjeje artistike pati rinia e Famullisë “Zoja e Shkodrës”, e cila përmes interpretimeve poetike solli në skenë krijime me vlera të veçanta kombëtare dhe letrare. Të rinjtë Anja Dragusha, Xhuzi Çeklijaj, Markos Podja, Aleksandra Mazi, Grejsi Preleci dhe Nikola Brigjaj interpretuan vepra të autorëve shqiptarë, duke dëshmuar përkushtimin e brezit të ri ndaj trashëgimisë kulturore dhe gjuhës shqipe.
Emocione të veçanta përcolli edhe aktori Zef Ndoja me interpretimin e poezisë “Jo armë, por lule”, të Pjetër Pepës, kushtuar martirëve të fesë dhe atdheut.
Një hapësirë të rëndësishme në program zunë edhe veprat muzikore të kompozitorëve At Bernardin Palaj, Prenkë Jakova, Tonin Harapi, Kardinal Mikel Koliqi dhe Lec Kurti. Solistët bas-baritonë Gerard Lazri dhe Lukë Mllugja interpretuan pjesë nga repertori operistik shqiptar, përkatësisht “Kangën e plakut” nga opera “Skënderbeu” dhe “Zot, erdhën gjindja e huej!” nga “Juda Makabe”, të shoqëruar në piano nga koncertmaestër Gjon Shllaku.
Atmosferën festive dhe atdhetare e pasuruan edhe Kori i Fëmijëve dhe Kori i të Rinjve të Katedrales së Shkodrës, nën drejtimin e maestro Lukë Mllugjës dhe shoqërimin në piano të Gjon Shllakut. Interpretimet e tyre me këngët “Kanga e Flamurit”, “Atdheut”, “I dëbuemi”, “Kanga e ushtarit” dhe “Largou Sulltan” sollën në skenë një dimension të veçantë artistik dhe emocional.
Pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve ishte një nga elementet më domethënëse të kësaj mbrëmjeje, duke dëshmuar rëndësinë e përcjelljes së vlerave historike, kulturore dhe shpirtërore te brezat e rinj.
Aktiviteti, i organizuar nga Famullia “Zoja e Shkodrës”, me mbështetjen dhe përkushtimin e famullitarit Dom Mikel Pllumaj, ishte një nderim për të gjithë ata që përmes penës, besimit, talentit dhe sakrificës i shërbyen Shqipërisë.
Kulmi i mbrëmjes ishte interpretimi solemn i “Hymnit të Flamurit”, me vargje të poetit kombëtar At Gjergj Fishta dhe muzikë të Lec Kurtit, i cili përcolli te të pranishmit një mesazh bashkimi, krenarie dhe dashurie për atdheun.
“Të falem lule kuq e zi” ishte më shumë se një shfaqje artistike. Ajo u shndërrua në një akt kujtese, mirënjohjeje dhe nderimi për figurat që i dhanë kombit shqiptar fjalën, këngën, besimin dhe qëndresën, duke rikujtuar se ruajtja dhe përcjellja e trashëgimisë kombëtare mbetet një amanet për çdo brez.






