Ballina Kronike Identifikohet me gjurmë biometrike në Greqi shqiptari i dënuar me 22 vite...

Identifikohet me gjurmë biometrike në Greqi shqiptari i dënuar me 22 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër (EMRI)

Policia e Shtetit/Finalizohet një tjetër fazë e operacionit me impakt ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”

Kjo fazë e operacionit është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Drejtorisë së Interpol Tiranës, Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit dhe Policisë greke.

Identifikohet me gjeneralitete të sakta një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i kapur në Greqi, i cili përdorte identitet të rremë.

Identifikimi i tij u bë falë ekspertimit të të dhënave biometrike nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore.

44-vjeçari, i dënuar në Shqipëri me 22 vjet burgim për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër, akuzohet edhe për vrasjen e dy shtetasve në Korinth të Greqisë, si dhe rezulton me precedentë penalë në këtë shtet për grabitje me armë, posedim të lëndëve narkotike dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe lojërat e fatit.

Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit u arrestua shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht, Zef Preldakaj alias Fran Preldakaj, 44 vjeç, i cili në Greqi përdorte identitetin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen.

Në vitin 2008, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, kryer në bashkëpunim.

Në vitin 2002, 44-vjeçari dhe shtetasit shqiptarë të arrestuar, A. N. dhe B. D., kanë shkuar në subjektin e shtetasve Sejdin dhe Seldjan Vucaj, vëllezër, në fshatin Shtoj i Vjetër, me qëllim grabitjen e xhiros ditore. Gjatë tentativës së njërit prej vëllezërve për t’i marrë armën shtetasit B. D., shtetasi A. N. ka qëlluar me armë në drejtim të të dy vëllezërve, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje.

Nga hetimet është provuar se shtetasi Zef Preldakaj alias Fran Preldakaj, gjatë ngjarjes, ka qëndruar te dera e subjektit, për të mbuluar dhe siguruar veprimet e shtetasve A. N. dhe B. D. Pas kryerjes së krimit, ai është larguar së bashku me ta.

Në vitin 2020, ky shtetas është akuzuar nga autoritetet greke në Korinth për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve u gjetën në një automjet.

Gjithashtu, ai rezulton me precedentë penalë në Greqi për grabitje me armë dhe shkelje të ligjit për armët, në vitin 2014; shkelje të ligjit për rregullimin e tregut të lojërave të fatit, në vitin 2013; si dhe posedim të lëndëve narkotike, në vitin 2005.

Identifikimi i këtij shtetasi dhe individualizimi i akuzave ndaj tij u bënë si rezultat i ekspertimit të thelluar të të dhënave biometrike, të kryer nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore.

Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet greke për të dokumentuar plotësisht përfshirjen e këtij shtetasi në veprimtari kriminale, si dhe për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin e tij në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks