Ballina Politike Progres-Raporti i KE për Shqipërinë 2026 / Kritika për Kuvendin, ndërhyrjet politike...

Progres-Raporti i KE për Shqipërinë 2026 / Kritika për Kuvendin, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe lirinë e medias, SPAK merr vlerësime

Komisioni Europian publikon Progres-Raportin 2026 për Shqipërinë. Dokumenti njeh përparimin e vendit në procesin e integrimit europian, por ngre shqetësime për funksionimin e institucioneve demokratike, korrupsionin, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe lirinë e medias. Brukseli vlerëson se Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme për çështjet themelore të negociatave, ndërsa objektivi i autoriteteve shqiptare mbetet mbyllja e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, Komisioni evidenton mungesën e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, refuzimin e kërkesave për komisione hetimore dhe politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura. Kritika ka edhe për sistemin e drejtësisë. Ndonëse vlerësohet përfundimi i procesit të vettingut dhe puna e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, raporti shpreh shqetësim për përpjekjet e politikanëve dhe zyrtarëve publikë për të ndikuar në sistemin gjyqësor. Një tjetër problematikë e evidentuar është liria e medias. Sipas Komisionit Europian, pavarësia e mediave vijon të ndikohet nga interesat politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë dhe presionet ndaj gazetarëve. Raporti ndalet edhe te protestat qytetare të muajve të fundit, përfshirë ato të udhëhequra nga studentët, duke bërë thirrje për dialog konstruktiv mes palëve. Sa i përket të drejtave themelore, Brukseli kërkon përmirësimin e kushteve në burgje, garantimin e së drejtës së pronës dhe mbrojtjen e pakicave. Ndërkohë, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian, Shqipëria ka përmbushur 33 nga 66 hapat e parashikuar deri në dhjetor 2025. Në dispozicion të vendit janë mbi 920 milionë euro në grante dhe kredi. Progres-Raporti i këtij viti përcjell kështu një mesazh të qartë: Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt Bashkimit Europian, por për të arritur objektivin e vitit 2027, kërkohen reforma konkrete dhe rezultate të prekshme në demokraci, drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks