Ballina Kronike Zbardhet plagosja e të riut në Lezhë / Sherri nisi për pagesën...

Zbardhet plagosja e të riut në Lezhë / Sherri nisi për pagesën e riparimit të makinës! Babë e bir në kërkim

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen me armë zjarri të ndodhur mesditën e së enjtes në fshatin Manati të Lezhës. Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona, babë e bir, të dyshuar si autorë të ngjarjes. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, bëhet fjalë për shtetasit Bebi (Gjergj) Voci 47 vjeç, dhe Ariseldo Voci, 23 vjeç, banues në fshatin Tresh të Lezhës. Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes dy personave të dyshuar dhe 31-vjeçarit Daniel Pikuli, banues në Lezhë. Sipas të dhënave të deritanishme, konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të një automjeti që babë e bir kishin dërguar për riparim në një servis. Mosmarrëveshja lidhur me pagesën e shërbimit dyshohet se ka sjellë përplasjen mes palëve, e cila më pas ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10. Gjatë konfliktit, dy personat e dyshuar dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të 31-vjeçarit D. P. Si pasojë e të shtënave, i riu ka marrë një plagë në pjesën e barkut. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas Policisë, 31-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor. Në vijim të hetimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “BMW”, i cili dyshohet se është përdorur nga dy personat e shpallur në kërkim për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Aktualisht, vijon puna për kapjen e dy të dyshuarve, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Hetimet për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa përgjegjësia penale e personave të dyshuar do të përcaktohet në përfundim të procedurave hetimore dhe gjyqësore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks